Rajoni

Deklarata e fortë e Albin Kurtit: S’kemi hequr dorë nga reciprociteti me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se nuk ka hequr dorë nga reciprociteti me Serbinë, për të cilin ka biseduar edhe në Bruksel.

Ju e dini, në “Kurti 1”, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept, u shpreh Kurti.

Kurti foli për reciprocitet të plotë.

Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndosh i marrëdhënieve midis shteteve, që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën në të cilën nuk zhbëhet më, theksoi kryeministri i Kosovës.

Deklarata e Kurtit vjen në kontekstin e thumbimeve të kryeministrit Rama nga Shkupi, ku i kërkonte të bëhej bashkë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për idenë e minishengenit (që së fundmi është emërtuar Ballkani i Hapur), i cili është refuzuar kategorikisht nga Kosova.

Në vitin 2018 u vendos në Kosovë një taksë ndaj produkteve serbe, e cila u zëvendësua nga qeverisja e parë e Kurtit me vendimin për reciprocitet. Ish-kryeministri Hoti, i cili erdhi në pushtet pas qeverisjes së parë të Kurtit e hoqi reciprocitetin.