Aktualitet

Ekstradim për Dritan Rexhepin/ Krahas Shqipërisë, e kërkojnë Italia, Belgjika dhe Anglia!

Shqipëria është në garë me disa vende të Bashkimit Europian si Italia e Belgjika, si edhe me Britaninë e Madhe për të ekstraduar narko-bosin, Dritan Rexhepi. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu e pyeti ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja se në çfarë faze është ky proces?

Ulsi Manja: Eshtë një proces që tashmë, ne e kemi nisur bashkë me Prokurorinë e Posaçme. Normalisht, për rastin konkret, si dhe të gjitha rastet e tjera, ne kemi bërë gati gjithë praktikën e do t’ua nisim shumë shpejt autoriteteve turke.

Muhamed Veliu: Kur thoni shumë shpejt, kur?

Ulsi Manja: Besoj nga fillimi javës.

Muhamed Veliu: Zoti ministër, jeni në një garë me disa vende të BE-së, të cilat kërkojnë ekstradimin e Dritan Rexhepit. Si do ta fitoni këtë garë që Shqipëria ta ketë me sukses këtë ekstradim?

Ulsi Manja: Dritan Rexhepi është shtetas shqiptar. Shqipëria natyrisht do të bëjë të gjitha përpjekjet që ai të ekstradohet në Shqipëri ku ka edhe një proces ku është në hetim dhe gjykim. Kështu që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të jemi ne që do ta ekstradojmë Dritan Rexhepin.

Muhamed Veliu: Keni disavantazhe në këtë proces?

Ulsi Manja: Nuk dua të flas më tepër për këtë proces sepse është një marrëdhënie që ne e kemi me autoritetet turke të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë në rastin konkret bën vetëm rolin e ndërmjetësit mes dy autoriteteve tona gjyqësore. Dokumentacioni që ka mbërritur në ministri është i plotë dhe shumë shpejt do t’ia nisim autoriteteve turke të drejtësisë.

Mëngjesi i 10 nëntorit e gjeti bosin e narkotrafikut shqiptar, Dritan Rexhepi të prangosur në një vilë në Turqi, vend në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar. Në Shqipëri, Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, më 17 janar 2020.

I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në mars 2006 u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.

Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacionin, me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të Dritan Rexhepit.

Rexhepi u shpall në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur fajtor për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “Vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 e 278/2 të Kodit Penal./Top Channel