Bota

Elon Musk ka një emër të preferuar për presidencialet amerikane e nuk është Donald Trump!

Elon Musk synon të mbështesë guvernatorin e Floridës, republikanin Ron DeSantis, nëse ai vendos të kandidojë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024. Në Twitter, multimiliarderi iu përgjigj me “Po” pyetjes “A do ta mbështesësh Ron DeSantis më 2024-ën?”. Në rrjetin social, njeriu më i pasur i botës kujtoi se më parë ka mbështetur në mënyrë aktive Barack Obamën dhe se votoi Joe Biden-in, por mbeti i zhgënjyer.

Preferenca ime për vitin 2024 shkon për një person të arsyeshëm dhe të qendrës. Unë pata shpresuar të njëjtën gjë për administratën e Biden-it, por jam zhgënjyer.

Kur manjati vizionar bleu Twitter-in, analistët vlerësuan se mund ta përdorte platformën sociale për të ushtruar ndikimin e tij edhe në politikën amerikane. Një lloj “megafoni mediatik” që përdoret për të mbështetur personazhe si DeSantis, i cili mund të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht lajmeve të rreme të kohëve të fundit, në fakt vetë Musk nuk mund të kandidojë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, pasi nuk ka lindur në tokën amerikane, por në Pretoria të Afrikës së Jugut. Nënshtetësinë amerikane e fitoi në vitin 2002.

Në nenin 2 të Kushtetutës së SHBA-ve thuhet:

Kush nuk është shtetas nga lindja ose një qytetar i Shteteve të Bashkuara në kohën kur miratohet kjo Kushtetutë, nuk ka të drejtë për postin e Presidentit.

Provokimi i shumëfishtë: “Unë mund të krijoj smartfonin tim”

Pas makinave elektrike, hapësirës dhe rrjeteve sociale, Elon Musk mund të niset për “të pushtuar” një territor tjetër: atë të smartfonëve. Duke iu përgjigjur politikanes së njohur amerikane, Liz Wheeler, e cila komentoi se “nëse Apple dhe Android vendosin të heqin Twitter-in nga aplikacionet e tyre, Musk do të detyrohej të shpikte smartfonin e tij”, ai shkroi:

Nëse nuk do të kisha zgjidhje tjetër, po, unë do të krijoja një telefon alternativ.

Wheeler e ka të qartë se për një njeri si Musk, i cili ndërton raketa për të shkuar në Mars, krijimi i një smartfoni do të ishte gjëja më e lehtë.