Bota Travel

Fluturimi më i ndjekur ndonjëherë është ai i Nancy Pelosi-t për në Tajvan!

Faqja e famshme e gjurmimit të fluturimeve tha se serveri i saj ishte në një ngarkesë të paparë ditën e djeshme sepse kaq shumë njerëz po shikonin fluturimin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për në Tajvan. Sipas mediave të huaja, “Flightradar24” tha në Twitter se kishte “interes të paprecedentë për gjurmim të vazhdueshëm” në SPAR19, shenja e një aeroplani të Forcave Ajrore të SHBA-së që transportonte Pelosi në rrugën nga Kuala Lumpur, Malajzi, në Taipei City, Tajvan.

Në kohën e postimit në Twitter, 345,000 njerëz po ndiqnin fluturimin. Ndërsa më vonë, kur hyri në hapësirën ajrore të Tajvanit, “Flightradar24” tha se 632,000 njerëz po e ndiqnin aeroplanin. Në kohën e publikimit, ishte e paqartë se sa njerëz po e shikonin aeroplanin ndërsa ai bënte zbritjen e tij përfundimtare.

“Flightradar24” më vonë tha në një deklaratë se SPAR19 ishte fluturimi i drejtpërdrejtë më i ndjekur në historinë e faqes në kohën kur u ul, duke u shikuar nga mbi 708,000 njerëz. SPAR19 u largua nga Kuala Lumpur të martën pasdite me orën lokale dhe zbarkoi në kryeqytetin e Tajvanit pak pas orës 22:45 po sipas kohës lokale.

Me ardhjen e saj, Pelosi u bë ligjvënësja më e lartë amerikane që vizitoi Tajvanin në 25 vjet. Pelosi nuk e konfirmoi vizitën e saj në Tajvan para mbërritjes dhe udhëtimi tërboi Pekinin, duke çuar në vërejtje kërcënuese dhe paralajmërime të përsëritura për SHBA. Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të mos e vizitojë Tajvanin, duke mbështetur kështu qëndrimin e Kinës. Kjo deklaratë e Kremlinit erdhi një ditë pasi Shtëpia e Bardhë mbështeti vizitën e Pelosit në Tajvan.