Film & Tv

“From Scratch” një histori e vërtetë për dashurinë, humbjen dhe kuptimin e shtëpisë. Kritikë.

Është e vështirë të shkruash një kritikë për një film a serial televiziv pa faktorizuar gjëndjen tënde shpirtërore në momentin që je duke e parë. Edhe pse “From Scratch” ka muaj në Netflix, fakti që më erdhi për ta parë nën ngrohtësinë magjike që krijon atmosfera e festave të fundvitit do të thotë shumë. Ajo që të bën përshtypje në dy episodet e para të këtij seriali të kufizuar është skenari dhe dialogjet, të dyja shumë të dobëta, aq sa të vjen ta lësh në morinë e atyre gjërave që i nis po nuk i çon kurrë në fund. Por ka diçka që të mban, the cheesines thonë në amerikë (sheqerosja mund t’i themi ne këtu), kuadri i mrekullueshëm i Firenzes, apo një lloj lehtësie kur paralel je duke parë dy seriale shumë të ngarkuar emocionalisht (“The White Lotus“, Sezoni i dytë dhe “The Handmaids Tale“, Sezoni i pestë). Ai që fillon si një romancë, e dorës së dytë, i aktruar keq, kthehet në një histori të dhimbshme humbjeje dhe rezistence. Pra praktikisht, nuk kisha si të mos llocja.

Bazuar në librin me kujtime të Tembi Locke dhe prodhuar nga Hello Sunshine, mbasi Reese Witherspoon e bëri librin shumë popullor në klubin e saj të leximit – “From Scratch” tregon fillimin – mesin dhe fundin e një marrëdhënie të pazakontë të artistes teksane – Emi (Zoe Saldaña) dhe një italiani me profesion chef kuzhine – Lino (Eugenio Mastrandrea). Lidhja e tyre – po aq sa kimia mes dy aktorëve – është e menjëhershme dhe e vrullshme, aq sa Lino lë italinë për ta ndjekur dashurinë e tij matanë oqeanit, në Los Anxhelos.

Edhe pse regjisorja e serialit, Nzinga Steward (“Maid”, “Little Fires Everywhere”) mund të zgjidhte të fokusohej tek natyra e papritur e një lidhjeje romantike mes dy njerzve nga dy botë të ndryshme, në të gjitha kuptimet, përpiqet, që para tragjedisë që kaplon çiftin të gjejë kohë për të dëshmuar momentet e ëmbla po aq sa ato të hidhura të fillimeve të një çifti. Mënyra se si ajo ka zgjedhur të xhirojë gatimet e Linos, e bën serialin të duket si një show gatimi – njëkohësisht, kjo është një zgjedhje interesante për të rrëfyer me gjuhën e ushqimit, si për të theksuar ndryshimet e gjuhës së folur, zakoneve dhe komunikimit të dy njerëzve dhe rrjedhimisht familjeve të tyre.

Shkrimtarja Locke është gjithashtu një nga producentet e serialit të gjatë tetë seri. Se bashku me të motrën Attica Locke, me kalimin e episodeve, e shtrijnë qëllimin e tyre jo vetëm tek bota e një çifti, por tek të gjithë lidhjet dhe implikimet e njerzve në jetën e tyre. Çfarë ndodh kur dy njerëz nga sfonde krejtësisht të ndryshme, vendosin të ndajnë jetën me njëri tjetrin. Në këtë moment historia bëhet shumë më interesante, dhe familjare për shikuesin shqiptar, edhe pse në dukje e pamundur. Personazhe si motra e Emit, Zora (Danielle Deadwyler), njerka e saj,  Maksinë (Judith Scott) prindërit e Linos, Filomena (Lucia Sardo) e Xhakomo (Paride Benassai), janë po aq të rëndësishëm në dramat e këtij çifti, duke e sjellë historinë në realmin e botës së të vdekshme. [Prindërit e Linos, janë shumë të ngjashëm me prindërit e një emigranti shqiptar, si njerëz që vijnë nga një vend i vogël, e nuk ka dalë kurrë jashtë fshatit të tyre. Po aq fillimet e Linos në Los Anxheles, si emigrant pa dokumenta ku në një skenë Siçilianët nuk ndihmojnë Siçilianët, janë pika të forta në të cilat gjeta veten si një njeri që e ka jetuar emigrimin nga afër, xhanëm si pjesa dërrmuese e shqiptarëve].

Pa dashur t’iu them se si mplekset historia, e akoma më pak se si zgjidhet ajo, prirem vetëm t’iu them se pavarësisht të gjitha dobësive; Saldaña në fillim është studente kur në fakt është dhe duket në të dyzetat e saj, shumica e skenarit është patetik në sfilitje, të ndodh të lodhesh jo rrallë nga aktrimi i dobët, sa për të përmendur disa; “From Scratch” të ngroh zemrën, e të bën të rivlerësosh edhe një herë shtëpinë, kuptimin e vërtetë të kësaj të fundit. Nëse gjithmonë e keni lënë mbas dore.