Vit pas viti gratë në moshë riprodhuese planifikojnë të lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Shtyrja e moshës së martesës, karriera dhe ndryshimi i stilit të jetesës po i bëjnë gratë shqiptare gjithnjë e më pak të prirura për të krijuar familje e për të lindur më shumë se një fëmijë.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë vitit 2022 norma e fertilitetit ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte më 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015.
Në 100 gra në moshë riprodhimi, linden vetëm 121 fëmijë nga 132 që lindën më 2021-shin. Nga viti 2001 e deri më 2023-shin, norma e fertilitetit është përgjysmuar duke rënë nga një nivel 2.31 fëmijë për grua në 1,21.
Krahasuar më të dhënat e Eurostat-it 2021, Shqipëria shihet të ketë normat më të ulëta të lindshmërisë në Europë, duke lënë pas vetëm Spanjën (1.19) dhe Maltën (1.13).
Indeksi i fertilitetit është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.
Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.
Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT-i, Indeksi Sintetik i Fertilitetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021-shin nga 1,34 fëmijë që ky tregues ishte më 2020-ën e 1,36 në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT-it, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970, mbi 5.
Lindshmëria bie te moshat e reja, rritet për grupmoshat më të vjetra
INSTAT-i raportoi se më 2022-shin, lindshmëria ka rënë për grup-moshat 20-24 dhe 25-29, 35-39 vjeç, ndërsa për grup-moshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje është 29,5 vjeç.
Vitin e kaluar lindën 24.688 foshnja, me rënie 13% në raport me 2021-shin. Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105.
Koeficientet specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2022-shin, mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5 vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.
Koeficienti bruto i riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese. Mënyra e llogaritjes së KBR-së është e njëjtë me të ISF-së, por në këtë rast merren parasysh vetëm lindjet gra.
Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave e shprehur nga ISF-ja dhe nga raporti gjinor në lindje.
Lindshmëria në adoleshencë është zvogëluar në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2022, ka 10,0 lindje për çdo 1.000 vajza të grup-moshës 15-19 vjeç nga 12,1 lindje që ishin në vitin 2021.
Me këtë ecuri, popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme, pasi do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit.
Në vitin 2021, KBR-ja është 0,63 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 37% larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave dhe nga preferenca për të lindur djem./Monitor