Botë e Çuditshme

Hoteli që synonte të thyente rekordin si më i larti në botë në fakt nuk vizitohet nga askush…

Nëse nuk e dini ekziston një hotel që nuk ka parë kurrë qoftë edhe një vizitor të vetëm. I ndodhur në kryeqytetin e Koresë së Veriut, hoteli Ryugyong u ndërtua në vitin 1987 dhe pritej që t’i hapte dyert për vizitorët dy vite më pas. Hapja e hotelit duhej të përkonte me Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve të vitit 1989 dhe synonte të thyente rekordin për hotelin më të lartë në botë, i cili në atë kohë mbahej nga një firmë koreano-jugore.

Ndërtuesit filluan punën dhe hoteli në formë piramide u krijua si pjesë e horizontit të Phenianit. Godina i kalon 304 metra lartësi, me 105 kate është projektuar të ketë deri në 3000 dhoma dhe pesë restorante. Por pavarësisht se kushton afërsisht 700 milionë euro, puna ka ngecur gjatë viteve. Ajo arriti lartësinë e planifikuar në vitin 1992, por me Korenë e Veriut që po shkonte drejt një krize ekonomike, ndërtimi më pas u ndal, teksa një vinç është lënë i braktisur në krye të ndërtesës.

Për 16 vitet në vijim, Hoteli Ryugyong qëndroi i zbrazët, me pjesën e jashtme të tij të zhveshur prej betoni që shtrihej mbi ndërtesat përreth. Më shumë se 30 vjet që nga fillimi i punës, hoteli ende nuk është hapur për vizitorët, megjithëse një burrë që ka qenë brenda ndërtesës e ka bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për një mjedis mikpritës.