Celebrities Gossip Showbiz

Iu nënshtrua një operacioni pak ditë para “Grammy 2022”, Halsey tregon nga çfarë vuan!

Ajo kohët e fundit është shtruar shumë shpesh në spital dhe padyshim që fansat janë shqetësuar. E kemi fjalën për këngëtaren e njohur Halsey e cila së fundmi ka zgjedhur të reagojë e të tregojë më shumë në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore. Nëpërmjet një postimi në Instastory, këngëtarja shprehu se:

Natyrisht që shëndeti im ka ndryshuar shumë që kur mbeta shtatzënë dhe linda. Fillova të sëmuresha vërtet. U shtrova në spital për anafilaksinë disa herë dhe kisha disa gjëra të tjera që po ndodhnin.

Halsey zbuloi gjithashtu se është diagnostikuar me sindromën Ehlers-Danlos, sindromën e Sjogren, sindromën e aktivizimit të qelizave të mastociteve (MCAS) dhe sindromën e takikardisë ortostatike posturale (POTS). Sindroma Ehlers-Danlos përkufizohet nga Mayo Clinic si një grup çrregullimesh të trashëguara që prekin indet lidhëse kryesisht lëkurën, kyçet dhe muret e enëve të gjakut ndërsa sindroma Sjogren është një çrregullim i sistemit tuaj imunitar i identifikuar kryesisht nga sytë e thatë dhe goja e thatë.

Sipas ‘Medical News Today’, sindroma e aktivizimit të mastociteve bën që sistemi imunitar të aktivizojë në mënyrë të papërshtatshme mastocitet, duke bërë që ato të lëshojnë shumë ndërmjetës, duke rezultuar në reaksione të rënda alergjike që prekin disa sisteme të trupit. Së fundmi, sindroma e takikardisë ortostatike posturale karakterizohet nga një rritje e rrahjeve të zemrës, rënie të presionit të gjakut dhe marramendje gjatë qëndrimit në këmbë. 27-vjeçarja shpjegoi se:

Kam kërkuar përgjigje për shkakun rrënjësor të disa prej këtyre gjërave, të cilat mund të jenë një sëmundje autoimune. E di që kam pasur probleme autoimune për pjesën më të madhe të jetës sime, veçanërisht me endometriozën. Nuk dua që askush të shqetësohet. Unë jam duke u trajtuar tani.

Halsey tha se është duke bërë prova për turneun e ardhshëm “Love and Power”. Muajin e kaluar, artistja mori pjesë në ‘Grammy 2022’, vetëm disa ditë pasi iu nënshtrua operacionit të endometriozës. Megjithatë, ajo u largua nga ceremonia herët pasi nuk po ndihej shumë mirë. Këngëtarja dhe kompozitorja amerikane u bë nënë për herë të parë me të dashurin Alev Aydin më 14 korrik të vitit 2021. Ajo foli për presionin mbi gratë që të kthehen në formë menjëherë pas lindjes.