@ the movies Celebrities Film & Tv

Jo vetëm për filmin “Bolero në vilën e pleqve” por edhe për projektet e tyre të reja, Olsi Abazi dhe Agim Halili zbulojnë gjithçka për TAR!

Sot të ftuar në emisionin ” At the movies” kanë qenë dy producentët e filmit “Bolero në vilën e pleqve”, Agim Halili dhe Olsi Abazi. Ata kanë folur në lidhje me filmin më të ri i cili po shfaqet në kinema. Por jo vetëm kaq pasi ata kanë zbuluar ekskluzivisht për Top Albania Radio se cili do të jetë edhe projekti i tyre i ardhshëm.

Filmi ka 2 vite që ka përfunduar pavarësisht se ka ardhur më vonë për shkak të pandemisë, si nisi gjithçka?

Agimi: Filmi e ka gjenezën nga romani “Bolero në vilën e pleqve” me autor Fatos Kongolin. Momenti i parë ishte që kur ne e lexuam dhe ramë dakord. Më pas vendosëm që ta bënim dhe ta realizonim filmin. E bëmë nga projekt në realitet. 

Në këtë film ne shikojmë një kombinim perfekt të aktorëve por a është e vështirë për t’i gjetur dhe për t’i bërë bashkë ata?

Olsi: Nëse ka të bëjë me filmin, ne jemi në mes të detit. Ne krijuam një frymë të jashtëzakonëshme. Filmi është një nga filmat më të mirë, nuk mund të themi më i miri por është një nga më të mirët pas viteve ’90. Sa i ndjeshëm është, filmi të bën që të shkosh në kinema.

Jemi të etur për filma, por nëse duam filma njerëzit duhet që të shkojnë me patjetër në kinema sepse i ndihmojnë jo vetëm aktorët por edhe producentët dhe gjithçka. Ndërtohet një mekanizëm me këtë lloj mënyre.

Agimi: Duhet të merren kritikat pasi filmi të jetë parë, jo ti kritikojmë ata pa i parë. Filmi kërkon shumë punë. Ti bën një punë me shumë sakrifica dhe në fund duhet të shikohet si produkt. Prova është ajo e publikut. Ky film ka gjithçka shqiptare. Filmin duhet ta ndiejnë shqiptarët. 

Po në lidhje me aktorët, mendoni se ata i kanë dhënë një tjetër figurë filmit përsa i përket edhe promovimit të tij?

Agimi: Është me fat që i kemi sepse ata janë një vlerë kombëtare. Kanë vite që Roberti dhe Margarita kanë luajtur. Duke qenë se edhe pandemia është drejt fundit, gjithçka u rikthye. 

Të dy producentët u bënë një thirrje të veçantë të gjithë dëgjuesve që të shkojnë dhe të shikojnë filmin, një vepër e shtuar e të gjithë krijimtarisë dhe kinematografisë së vendit tonë. Është një film i vlerësuar ndërkombëtarisht. Pjesëmarrës në 9 festivale ndërkombtare dhe fitues në 4 prej tyre.

Olsi: Është gjithçka një magji ku papritur ti e gjen veten brenda filmit.

Agimi: Janë të gjithë të përfshirë. Si gjyshi, gjyshja, prindërit dhe çdo njeri që është mbi 18 vjeç e ndien veten të përfshirë. 

Olsi: Vajtja në kinema është një tokë e papunuar. Me filmin fillojmë që të zgjojmë këtë audiencë që të shkojë në kinema. Në Shqipëri prodhohet televizion dhe radio. Por në kinema nuk është prodhuar, ka shumë pak. Jemi në një moment që për shumë njerëz mezi u prit si film. Për ta zgjeruar këtë këndvështrim ky film është fillesa e gjithçkaje.

Agimi: Le të na gjykojnë.

Të dy producentët nuk kanë hezituar që të tregojnë edhe planet e tyre që ata kanë për të ardhmen, ekskluzivisht për Top Albania Radio-n.

Agimi: Është një gjë shumë e bukur tani përsëri e bazuar me Fatosin me romanin “Lëkura e qenit”. Do të paraqitet për prodhim përsëri me bashkëpunëtor nga Franca dhe Kosova. Në lidhje me aktorët kemi emra të jashtëzakonshëm edhe pse është akoma shumë herët për gjithçka.