Rajoni

Këtë javë, Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësimin në BE!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “këtë javë, autoritetet do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Sot në mbledhjen e qeverisë, Kurti deklaroi:

Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë për Bashkimin Europian edhe pse jemi të parët në këtë rajon për sundimin e ligjit, lirisë dhe demokracisë.

Ka ardhur koha që statusin potencial kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, zyrtarisht ta kthejmë në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

Më herët këtë vit, Kosova ka treguar se po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në BE.

Bashkimi Europian është vend i paqes, sigurisë, barazisë e prosperitetit, ndaj edhe Kosova e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët, si një vend paqedashës e demokratik.

Deri tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asoci’imit. Nga 27 shtetet anëtare të Bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ato janë: Spanja, Rumania, Qipro, Greqia e Sllovakia.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Serbia e Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në Bllok, pasi deri tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Ndërkohë, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, këtë vit nisën procesin e bisedimeve.
Këtë javë, pritet që Bosnje-Hercegovina të marrë statusin e vendit kandidat. Po ashtu, Kosova është shteti i vetëm që nuk ka përfituar liberalizim të vizave me Unionin.

Siç dihet, ditët e fundit Kosova po kalon tensione për shkak të gjendjes në veriun me shumicë serbe. Aty vazhdon e brishtë situata e sigurisë. Policia konfirmon se mbeten në të njëjtat vende barrikadat e vëna nga serbët, duke bllokuar rrugët për në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak. Vendosja e tyre pason arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç, i dyshuar për sulmin kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e sigurisë, një muaj paraburgim.