Për të katërtën ditë, veriu i Kosovës mbetet i bllokuar nga qytetarët serbë. Kalimi për në pikat kufitare të Bërnjakut e Jarinjës nuk është i mundur as në këmbë. Shkollat fillore dhe të mesme janë mbyllur. Presidenti i Serbisë, Vuçiç, tha se të enjten Beogradi do t’i dërgojë kërkesë KFOR-it, për të çuar deri në 1 mijë forca të sigurisë në Kosovë.
Ndërkohë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u takua në Prishtinë me udhëheqësit e Republikës së Kosovës. Po ashtu, nesër është radha e të dërguarit special të BE-së, Mirosllav Lajçak, që të vizitojë Prishtinën e Beogradin për të tentuar uljen e tensioneve.
“Kosova dhe Serbia thanë se janë të gatshme për de-përshkallëzimin e situatës”, u shpreh kryediplomati europian Borrell, i cili është optimist. Ai foli pas takimit me shefat e diplomacive të vendeve të Unionit që biseduan edhe për situatën në veri të Kosovës. Mbi këtë çështje, sot do të ketë një takim përmbledhës në komitetin politik.
Qindra njerëz u mblodhën në Beograd, për të protestuar në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë. Protesta e thirrur përmes rrjeteve sociale nga organizata të krahut të djathtë, u zhvillua para Kishës Shën Sava. Protestuesit kënduan këngë për Kosovën dhe përçmuese për shqiptarët atje. Gjithashtu u dëgjuan thirrjet:
Serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë, Jo ndarjeve, Kosova është pjesë e Serbisë!
Po ashtu mbanin flamuj të Serbisë e Rusisë, si dhe mbishkrimet “Kosova nuk dorëzohet”. Pjesëmarrësit lëvizën nëpër rrugët e qendrës së qytetit, ku u ndalua qarkullimi i makinave. Ndër të tjera, dogjën flamurin e Kosovës para selisë së Presidencës së Serbisë. Më pas, protestuesit thanë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.
Siç edhe dihet, Policia e Kosovës ka shtuar praninë në veri, pas disa shpërthimeve e sulmeve të armatosura që janë shënuar nga data 6 dhjetor. Nga Prishtina zyrtare u tha se shtimi i forcave policore po bëhet për të garantuar sigurinë e banorëve, në veriun me shumicë serbe.