Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama takohet me presidentin Biden në Nju Jork!

Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda Rama takuan presidentin Joe Biden dhe zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Jill. Në rrjetet sociale, Rama ka publikuar foton e tyre me mbishkrimin “Fotoja e ditës”.

PHOTO OF THE DAY

Kryeministri Rama mori pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me temë “Samiti për të Ardhmen”.

Me idenë për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, kryeministri Edi Rama mbylli fjalën e tij në “Samitin e së ardhmes”, takimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rama pati folur gjatë mbi këtë temë, gjatë një interviste dhënë gazetës amerikane New York Times, ndërsa Selia Botërore e Bektashinjve e cilësoi menjëherë një “nismë të jashtëzakonshme” që sipas saj do të sjellë “një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”. Edhe Rama, deklaroi se shteti Sovran i Bektashinjve do të ishte “një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”.

Në ditën e dytë të punimeve që u zhvilluan në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kreu i qeverisë shqiptare foli për mundësitë dhe disavantazhet me të cilat na përball teknologjia në këto kohë moderne e sfidash të reja, në sesionin me temë: “Dialogu për të ardhmen digjitale”.

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, me ftesë të aktivistit shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës, Mark Gjonaj, kryeministri zhvilloi edhe një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë.