Aktualitet Politikë

Kuvendi konfirmon sërish Gentiana Sulën në krye të Autoritetit të Dosjeve; u votua edhe nga opozita

Parlamenti ka votuar sot Gentiana Sulën për një mandat tjetër në drejtim të Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish sigurimit të Shtetit.

Në votim kanë marrë pjesë 119 deputetë, nga të cilët 105 kanë votuar pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, duke marrë kështu vota pro edhe nga deputetët e opozitës, që së bashku kanë konfirmuar Gentiana Sulën në krye të Autoritetit të Dosjeve.

Në përfundim të seancës që ka nisur në orën 10:00 të paradites, deputetët socialistë, por edhe deputetë të opozitës, i kanë besuar Sulës drejtimin e këtij institucioni për një tjetër mandate 5-vjeçar.

Gjatë këtyre viteve, Gentiana Sula ka qenë nga të paktat drejtuese institucionesh që nuk është përfolur dhe as akuzuar nga opozita.

Ajo përfaqëson Shqipërinë në Rrjetin Europian të Kujteses dhe Solidaritetit në statusin e vëzhgueses, për një mandat 5-vjeçar.

Ndërkohë, dy kandidatët e tjerë kanë siguruar më pak vota, ku përkatësisht për kandidatin Altin Hoxha kanë votuar 80 deputetë pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa për kandidatin Marçel Hila kanë votuar pro 18 deputetë, 68 kundër dhe asnjë abstenim.

Por kush është Gentiana Sula?

CV-ja e saj flet shumë, duket se çdo gjë që e ka nisur e ka kryer në perfeksion. Një gjimnaziste që është vlerësuar me medalje ari për rezultate të larta, diplomimin si biologe natyrisht me rezultate të shkëlqyera, por edhe karrierën e saj intensive në organizata prestigjoze ndërkombëtare duke nisur nga UNICEF, ku ka punuar në krye të projekteve me vendet e Botës së Tretë dhe Ballkanit, Bankën Botërore, gjithashtru për Ballkanin dhe shtetet ish-komuniste etj.

Nëse ka zyrtar të shtetit shqiptar që e njeh mirë problematikën e ish-viktimave të diktaturës komuniste, zonja Sula, është ndër më kompetentet.

Gentiana Sula, një trashëgimtare e familjeve që kaluan persekutimin e dhunën e diktaturës, nuk e reklamoi punën e saj dhe pak mbajnë mend daljet e saj në studio televizive që përgjithësisht janë të mbushura edhe me gra që pëplasen e zihen për të drejtat e gjinisë së vet.

Gentiana Sula është një grua që nuk i pëlqen të flasë për veten, edhe pse ia kërkojmë që të shkruajmë këtë profil të saj informues.

Në të gjitha këto funksione Gentiana Sula është marrë me njerëzit, trajtimin dhe ndihmën për ta, ndërsa këtë herë ajo do të merret me shkresa të frikshme që emrin e kan dosje dhe për të cilat është thënë se po të hapen ato, në Shqipëri do të bëhet nami. Për shumë e shumë arsye askush nuk e ka marrë përsipër këtë barrë.

Dhe gruaja që po mbyll dosjet e të përndjekurve për dëmshpërblimin e tyre, ka bindjen se hapja e këtyre të rejave është një punë tjetër humanitare që ajo do ta shtojë në CV-në e saj të sukseshme.