Auto & Moto

Mercedes-Benz vjen me një thirrje: “Riktheni makinat, mund të mos frenoni dot”!

Së fundmi, Mercedes-Benz u ka bërë thirrje 1 milion klientëve të vet, në të gjithë botën, që të rikthejnë makinat, për shkak të një problemi të mundshëm me sistemin e frenave. Përgjatë fundjavës, kompania gjermane tha se do të kontaktojë me të gjithë pronarët e makinave, frenat e të cilave mund të jenë të konsumuara.

Problemi prek saktësisht 993 407 makina, mes të cilave gati 300 mijë në SHBA dhe 70 mijë në Gjermani. Sipas Mercedes, makinat e përfshira në listë janë të viteve të prodhimit 2004-2015, nga modelet ML, GL dhe R-Class. Në deklaratën e Mercedes thuhej se:

Mund të jetë e mundur që në rast të një frenimi veçanërisht të fortë, të shkaktohen probleme mekanike. Nëse kjo ndodh, atëherë frenimi nuk do të jetë i mundur, prandaj rreziku i përplasjes do të rritej.

Mercedes-Benz USA njoftoi se deri më tani nuk ka pasur përplasje, lëndime apo vdekje në lidhje me këtë çështje. ‘NHTSA’ tha se automjetet që nuk shfaqin korrozion të avancuar mund të vazhdojnë të përdoren pa veprime të mëtejshme, ndërsa automjetet me korrozion të avancuar do të kenë një provë shtesë. Automjetet që kalojnë testin mund të përdoren deri në dy vjet, por duhet të kthehen për një riparim shtesë, ndërsa ato që nuk e kalojnë do të kërkojnë një zëvendësim përforcues frenash.

Rikujtojmë, se Mercedes Benz ka konfirmuar së fundmi se ka shitur makinën më të shtrenjtë në botë. Një model tepër i rrallë SLR Coupe i vitit 1955, që mbahej në koleksionin e kompanisë gjermane, u shit për 135 milionë euro, ose 142 milionë dollarë. Ky çmim e bën atë makinën më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në histori. Kompania tha se me paratë do të ngrihet Fondi Mercedes-Benz, një fond për bursa.