Tech

Meta anulon zhvillimin e ‘smartwatch’ me dy kamera!

Meta ka ndaluar zhvillimin e një ore të avancuar (smartwatch) me dy kamera të integruara. Sipas medieve të huaja, pajisja e koduar “Milan” thuhet se ishte planifikuar të lançohej në pranverën e vitit 2023 me një çmim prej rreth 349 dollarësh. Çështjet teknike, si dhe ulja e kostove të përditshme në Meta, thuhet se kanë ndikuar në këtë anulim.

Shumica e orëve të avancuara, duke përfshirë edhe atë Apple Watch, aktualisht nuk posedojnë kamerë, kështu që Meta kishte shpresuar se vendosja e jo një por dy kamerave mund ta kishte dalluar pajisjen e saj në një treg konkurrues. E para do të kishte kamerë para 5 megapikselë, e përfshirë brenda një vrime të vogël ekrani për t’u përdorur për video-thirrje dhe një kamerë 12 megapikselë e vendosur poshtë do të përdorej për të bërë foto dhe për të xhiruar video kur e hekni orën nga kyçi i dorës.

Rikujtojmë, se së fundmi, Apple bëri publike shumë gjëra në konferencën e tyre vjetore, duke na dhënë edhe një paraqitje të shkurtër për të shumë priturat macOS Ventura, iOs 16, çipin M2, MacBook Air-in e ri dhe shumë të tjera. Apple e prezantoi iOS16, një përditësim i cili sjell veçori të reja në “lock screen-in” e telefonit tuaj.

Sjellim në vëmendje se platforma Google së fundmi ka prezantuar disa nga produktet e saj më të reja, si telefonin inteligjent Pixel 7, Pixel Watch dhe Pixel Buds Pro. Prezantimi u bë në Amfiteatrin Shoreline, ku zhvilluesve iu dha më shumë informacion rreth punës me platformat e Google. Një ndër pajisjet më të përfolura është pikërisht ora Pixel, e cila pritej prej kohësh. Ajo vjen me një dizajn rrethor, me një kurorë prekëse dhe një buton anash për navigim.