Bota

Një aleat i Putinit: Të ndalet aktiviteti i Gjykatës së Hagës në Rusi!

Kryetari i Parlamentit të Rusisë propozon ndalimin e aktiviteteve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pasi ky institucion lëshoi urdhër-arrest për presidentin rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar për krime lufte.

Vyacheslav Volodin, aleat i Putinit tha se legjislacioni rus duhet të ndryshojë, për të ndaluar çdo aktivitet të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Rusi dhe për të ndëshkuar këdo që jep “asistencë” për këtë gjykatë me seli në Hagë. Në një postim në Telegram shkruan:

Eshtë e nevojshme të punojmë për ndryshimet e legjislacionit që të ndalohet çdo aktivitet i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në territorin e shtetit rus.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rregulluar ligjin që ndalon qytetarët amerikanë të gjykohen nga kjo gjykatë. Koha që edhe Rusia të veprojë në këtë drejtim! Çdo ndihmë apo mbështetje për këtë gjykatë brenda Rusisë, duhet të dënohet me ligj!

Më herët këtë muaj, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arrest për shefin e Kremlinit, duke e akuzuar Putinin për krime lufte, lidhur me dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Gjykata tha se ka arsye të bazuara për të besuar se presidenti rus “mban përgjegjësi individuale kriminale”.

Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar kundër përpjekjeve për ta arrestuar Putinin, i cili është lider i Rusisë që nga viti 1999. Moska nuk e ka fshehur se një arrestim i mundshëm do të përbënte shpallje lufte kundër fuqisë më të madhe bërthamore në botë. Prej më shumë se një viti, më 24 shkurt 2022, Rusia vijon agresionin në Ukrainë, në emër të atij që e quan “operacion për çmilitarizimin e vendit fqinj”.

Nuk kanë të ndalur luftimet e ashpra në afërsi të qytetit lindor ukrainas të Bahmutit. Në njoftimin e fundit, ushtria ukrainase bën të ditur se forcat ruse kanë kryer dhjetëra sulme në 24 orët e fundit.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raporton për 59 përplasje në frontin përgjatë Bahmutit, në zonat e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës, Marinkës e Shaktarskut. Prej disa javësh, në këto pjesë të territorit janë zhvilluar luftime intensive.

Një ditë më parë, ushtria ukrainase u shpreh se nuk ka parë reduktim të operacioneve ruse në zonën e Bahmutit, pavarësisht pretendimeve të disa analistëve ushtarakë se ofensiva disamujore e Moskës është dobësuar.