Bota Celebrities

“Pandora Papers”, zbulohen edhe “thesaret” e Shakirës e Claudia Schiffer-it!

Ndërsa gjithçka është zbuluar e tani në të gjithë botën po merren me “Pandora Papers”, 5 vjet pas “Panama Papers”, mes përfituesve janë dhe artistë e supermodele e jo vetëm liderë botërorë apo politikanë. Hetimi, për të cilin punuan për dy vjet, rreth 600 gazetarë ka hapur kasafortat sekrete të 35 udhëheqësve të botës, si dhe të mijëra personave vip e miliarderëve, të fshehura në parajsat fiskale.

Jo vetëm rrethi i ngushtë i presidentit të Rusisë, Putin; Mbreti i Jordanisë, Abdullah; kryeministri çek, Babis apo presidenti i Kenias, Kenyatta, të cilët janë vetëm disa prej liderëve. Lista vijon me këngëtarët Shakira e Julio Iglesias, ish-top modelen gjermane, Claudia Schiffer e gjithashtu mafiozin italian Raffaele Amato, i arrestuar në 2005-ën, historia e të cilit frymëzoi realizimin e filmit “Gomorra”.

Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë pati akses në rreth 12 milion dokumente të rezervuara, nga vitet ‘70 deri në 2020-ën. “Pandora Papers” shkoi përtej “Panama Papers”. Teksa kjo e fundit bazohej në materialin e një studioje të vetme ligjore, “Pandora” ka grumbulluar analizën e të dhënave të 14 entiteteve të shërbimeve financiare në vende e territore që përfshijnë edhe Zvicrën, Singaporin e Qipron.

Dokumentet tregojnë se si Mbreti Abdullah i Jordanisë, aleat historik i Shteteve të Bashkuara, përdori një shoqëri fantazmë për të blerë për më shumë se 100 milion dollarë, prona luksi në Malibu, Uashington e Londër. Në Europë, u zbulua blerja për 22 milion dollarë e një kështjelle në Francë, pranë Kanës, nga kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, politikan miliarder, i cili prezantohet si populis kundërshtar i elitës europiane.

Në Afrikë, gishti tregohet nga presidenti i Kenias. Uhuru Kenyatta i vetëshpallur prej vitesh si armiku numër një i korrupsionit, na del që me familjarë, ka krijuar të paktën 7 entitete offshore, për të fshehur para’ dhe pasuri të patundshme, për 30 milion dollarë.

“Pandora Papers” citon edhe familjen mbretërore britanike. Përmes Fondit të Mbretëreshës, për 67 milion paund bleu në Londër një pronë të lidhur me familjen e presidentit të Azerbajxhanit, e akuzuar për korrupsion. E duke mbetur në Britaninë e Madhe, ish-kryeministri Tony Blair e bashkëshortja Cheire kursyen pagesën e mijëra paundve në taksa mbi pronën, duke blerë në Londër një godinë për zyra, përmes një shoqërie offshore.

Për Rusinë, emri i Vladimir Putinit nuk shfaqet në dokumente, por i disa burrave e grave të afërt me të, po. Spikat ai i shokut të fëmijërisë Petr Kolbin, si dhe i Svetlana Krivonogikh, me të cilën thuhet se “cari” ka patur një marrëdhënie e përflitet se kanë një vajzë. Përmes një shoqërie offshore, Krivonogikh rezulton se bleu një apartament luksoz në Monako.