Celebrities Showbiz

Pritshmëritë lidhur me Eurovizionin, Ardit Çuni rrëfen…

Prej muajsh tashmë këngëtarja Ronela Hajati ka qenë kryefjala e mediave të ndryshme lidhur me përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision 2022”. Dhe më në fund erdhi momenti për t’u ngjitur në skenë pasi vetëm 24 orë na ndajnë nga momenti kur ajo do të interpretojë këngën “Sekret”. Këtë vit festivali më i madh muzikor evropian do të zhvillohet në Pala Olimpico në Torino, Itali në datat 10, 12 dhe 14 maj në orën 21:00. Mbrëmjen e parë të këtij festivali do ta çelë pikërisht artistja Ronela Hajati, e cila pritet të vijë më shpërthyese se kurrë dhe me një performancë spektakolare. Lidhur me pjesën teknike dhe të gjitha përgatitjet, Ardit Çuni na flet…

Si po ndiheni para performancës së madhe mbrëmjen e nesërme?

Sonte është show i jurisë, votohet sonte. Është 50% e punës. Kjo është pjesa më e rëndësishme. Ronela është mirë, edhe pse është periudhë shumë e ngarkuar. Ka gjithmonë diçka për të bërë.

A po merr kohën e duhur Ronela për të pushuar ndopak pas gjithë këtyre eventeve?

Agjenda është shumë e ngarkuar dhe nuk e ke luksin për të pushuar vokalisht. Ne shkojmë në arenë që në orën 1 dhe kthehemi në 1 të natës. Është e vështirë por Ronela do ia dalë ashtu siç di ajo. Kemi pasur shumë probleme teknike. Duke qenë se jam dhe Head of  Press, kam folur dhe jam munduar që të ndryshohen. Mezi presim sonte se si do dali.

Si kanë shkuar turet gjatë kësaj kohe? Keni parë feedback pozitiv tek njerëzit?

Kemi patur një ngritje të jashtëzakonshme. Në ture kemi shkëlqyer. Ronela ka dhënë koncerte shumë shumë të mira.

A ka pasur ndonjë moment pikant që do të doje ta ndaje?

Ka pasur plot, por nuk i them dot të gjitha (qesh). Në Amsterdam Ronela ka hedhur koncertin në tokë pasi kishte problem të mëdha teknike. Pastaj të njëjtën gjë e bënë edhe përfaqësuesit e shteteve të tjera. Probemi qëndron tek stafi zbatues. Në momentin që nuk zbatohen ndodhin këto gjëra. Pastaj një tjetër moment ka qenë dhe fshirja e fotove.

Cilat janë pritshmëritë e Ronelës, por edhe tuajat si staf?

Pritshmëritë tona si delegacion eshtë që të kalojmë në natën finale. Nëse kemi një renditje të mirë është shumë mirë, por të mos i kemi shumë të larta pritshmëritë sepse pastaj zhgënjehemi. Ne e dimë se si shkojnë votimet, se sa gjeopolitike janë gjërat.