Bota Botë e Çuditshme

Problemet që shkaktojnë gromësirat e lopëve, Bill Gates vjen me një strategji të re!

Miliarderi Bill Gates ka investuar së fundmi në një start-up australian për teknologjinë klimatike që planifikon të reduktojë emetimet e metanit nga gromësirat e lopëve. Prej kohësh tashmë, themeluesi i Microsoft ka ngritur zërin për ndikimin që industritë e prodhimit të mishit kanë në mjedis. Metani është gazi më i zakonshëm serë pas dyoksidit të karbonit. Kafshët barngrënëse si lopët, dhitë dhe dreri prodhojnë metan kur stomaku i tyre shpërbën fibra të forta si bari për tretje.

Ky proces fermentimi krijon gaz metan, i cili më pas kryesisht nxirret përsëri nga organizmi. Studimet kanë treguar se ushqyerja e lopëve me alga deti mund të ulë ndjeshëm emetimin e këtij gazi në natyrë. Start-upi që ndodhet në Perth, Rumin8, po punon për një suplement dietik, i riprodhuar në mënyrë sintetike nga alga e kuqe e detit, që ndalon krijimin e gazit.

Kompania njoftoi në një deklaratë se kishte mbledhur 12 milion dollarë në një fushatë financimi të udhëhequr nga Breakthrough Energy Ventures, të cilin Gates e themeloi në 2015. Firma e investimeve mbështetet gjithashtu nga shefi ekzekutiv i Amazon, Jeff Bezos dhe sipërmarrësi kinez dhe bashkëthemeluesi i Alibaba, Jack Ma.

Në vitin 2019, metani në atmosferë arriti nivele rekord, rreth dy herë e gjysmë mbi atë që ishte në epokën para-industriale. Sjellim në vëmendje se Zelanda e Re po planifikon që të taksojë gromësirat e deleve dhe lopëve, në përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike. Sipas autoriteteve, një prej burimeve më të mëdha të emetimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë, është gromësira e bagëtive. Vendi do të bëhet kështu shteti i parë në botë që takson emetimet e gazit metan nga bagëtitë.