Bota Lifestyle

Profesionet që së shpejti do të zhduken!

Shumë profesione mund të zhduken pjesërisht, për shkak të avancimit të teknologjisë, në veçanti për shkak të përhapjes së inteligjencës artificiale. Një studim i këtyre ditëve nga universitetet prestigjioze amerikane të Princeton, Universiteti i Pensilvanisë dhe ai i Nju Jorku, ka hulumtuar mbi efektet ndaj punësimit në industritë amerikane të aplikacionit ChatGPT, por më pas u zgjerua edhe në fusha të tjera.

Sipas studimit, profesionet më të rrezikuara nuk janë ato që lidhen me shkencat ekzakte, por më shumë ato letrare ose që kanë të bëjnë me fushën e analizës historike dhe shoqërore, multidimensionale, pikërisht aty ku elementi njerëzor cilësohej si i pazëvendësueshëm. Pra më shumë se inxhinierë dhe matematicien, inteligjenca artificiale do të godasë mësuesit e shkollave, veçanërisht ato të letërsisë dhe gjuhëve të huaja, por edhe ato të shkencave politike dhe sociologjisë, por edhe ato në shërbimet ligjore, që shpesh jepen online.

Kategoria më e rrezikuar sipas studimit është ajo e operatorëve që punojnë në call-center, por rrezikojnë edhe psikologët, ndërmjetësit kulturorë, madje edhe vetë avokatët, në një të ardhme më afatgjatë. Rikujtojmë, se shtëpia botuese më e madhe gjermane, Axel Springer, ka vendosur të bëjë shkurtime të konsiderueshme të stafit në gazetat Die Welt dhe Bild, sipas një letre sot nga CEO Matthias Deppner, i cili gjithashtu paralajmëron zëvendësimin e gazetarëve me sisteme të inteligjencës artificiale. Siç thekson Deppner në letrën e tij drejtuar punonjësve, shtëpia botuese do të rritet dhe në të njëjtën kohë do të zvogëlojë vendet e saj të punës, në fushat e prodhimit, redaktimit dhe administrimit të dy gazetave.