Celebrities Gossip Music Showbiz

“Radical Optimism” i Dua Lipës zyrtarisht albumi më i dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar!

Këngëtarja kosovare me famë ndërkombëtare Dua Lipa ka arritur të pozicionojë albumin e saj të ri “Radical Optimism” si albumin më të dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar. Ky lajm u bë i ditur nga vetë artistja përmes disa fotove të publikuara në rrjetin social Instagram, ku ajo shfaqej teksa mbante në duar kupën prestigjioze nga Official Charts.

Sipas Official Charts, “Radical Optimism” ka arritur të shpallet si albumi me debutimin më të madh për një artiste britanike që prej Adele në vitin 2021. Ky triumf e bën “Radical Optimism” të Dua Lipa-s albumin e parë të saj që debuton në krye të listës së albumeve në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi i dytë i saj, “Future Nostalgia”, arriti të ngjitet në pozitën numër një në javën e tij të dytë, ndërsa albumi i debutimit “Dua Lipa” përfundoi në vendin e tretë, megjithatë vazhdoi të kishte një qëndrueshmëri mbresëlënëse në grafik për 354 javë.

“Radical Optimism” markon një kapitull të ri në karrierën e Dua-s, e cila vazhdon të dëshmojë pse ajo është një nga yjet më në zë të muzikës bashkëkohore. 28-vjeçarja u shpall një ndër 100 njerëzit me më shumë ndikim në botë. Dua ka treguar se që në fëmijëri, ka shkruar gjërat që ka ëndërruar për veten. Manifestimi është një gjë shumë e rëndësishme për artisen.

Unë kam shumë besim me gjërat që vendos në këtë botë. Në mënyrë të pavetëdijshme, ti punon për të. Asgjë nuk është shumë e madhe.

Lipa, e cila lindi në Londër në vitin 1995, nga Anesa dhe Dukagjini, të cilët u larguan si refugjatë në vitet ’90, ka folur gjithmonë me pasion për origjinën e saj.

Jam nga dy vende në të njëjtën kohë. Të jem kosovare është një pjesë shumë e rëndësishme dhe fakti që mora nënshtetësinë shqiptare ka qenë shumë emocionuese.