Celebrities Film & Tv Showbiz

Robert Pattinson konfirmohet edhe për një film tjetër të “The Batman”!

Robert Pattinson do të veshë sërish kostumin e zi të Batmanit. Studio “Warner Bros” njoftoi së fundmi se aktori britanik do të jetë protagonist kryesor në filmin e dytë “The Batman”. 35-vjeçari do të luajë edhe një herë rolin e Bruce Wayne, pasi filmi i parë pati sukses të jashtëzakonshëm dhe aktualisht është filmi më fitimprurës i vitit.

Përveç aktorit kryesor, në filmin e dytë me superheroin e mirënjohur do të jetë edhe regjisori i filmit të parë, Matt Reeves. Nga ana tjetër, “Warner Bros” nuk dha asnjë datë për nisjen e xhirimeve apo për premierën e filmit të dytë “The Batman”. “The Batman” me Robert Pattinson në rolin kryesor dhe Zoë Kravitz si ‘Catwoman’, ka tejkaluar çdo pritshmëri. Ky film ka përfituar plot 128.5 milionë euro.

“The Batman” shënon debutimin më të mirë deri më tani për vitin 2022 dhe i ka tejkaluar pritshmëritë e industrisë, pasi parashikohej të përfitonte më pak. Duke qenë se Batmani është një prej brendeve më të popullarizuara të kinematografisë, filmat e bazuar në këtë karakter kanë përfituar mbi pesë miliardë dollarë që nga “Batman” i vitit 1989.

Në një nivel simbolik, kjo mënyrë e hapjes është pikërisht ajo që kishte nevojë ‘Warner Bros’ dhe kinematë në këtë situatë. Sa i përket industrisë filmike, suksesi i “The Batman” nga shitja e biletave shënon një hap drejt normalitetit pas dy vitesh hapje dhe mbyllje si pasojë e pandemisë së COVID-19. Ndërkaq, së bashku me Pattinson, Paul Dano të cilin e mbajmë mend edhe nga “There Will Be Blood” luan rolin e një prej armiqve të Batman, The Riddler.