Celebrities Magazine Showbiz Vitality Vibes | News

“Special Olympics Albania”/ Sfidat që kalon një atlet ndryshe me sportet në Shqipëri dhe personat që e mbështesin atë në këtë rrugëtim!

“Vitality Vibes” është një emision që ka për qëllim informacionin mjekësor për dëgjuesit në lidhje me simptomat e para të disa sëmundjeve dhe kurimin e tyre. Mënyra e rrëfimit të pacientëve sesi nisin simptomat e para në formën e rrëfimeve, vizitat tek mjeku, rrëfimet e mjekëve për dyshimet e tyre në lidhje me diagnozën e saktë, vendosja e saktë e diagnozës dhe fillimi i kurimit. Bashkëpunim me mjekë të njohur dhe personazhe të njohur të cilët kanë pasur eksperienca sëmundjesh. Ky emision ka si synim informimin e publikut mbi të rejat në fushën e mjekësisë, kërkimet, teknologjitë e reja dhe gjithçka tjetër.

Në këtë episod me Ilvi Begollin kanë qenë të ftuar muzikanti Roland Hysi, një kampion ndryshe si Gersi Troka, e ëma e tij dhe trajneri Gentian Lama. Çfarë i bëri bashkë ata në një intervistë mjaft speciale ishin temat mbi sfidat që kalojnë atletët me sindromën Down dhe si është për personat që e mbështesin atë, përfshirë këtu prindërit, organizatat dhe trajnerin.

Gjatë kësaj bisede u fol rreth vështirësive që një atlet si Gersi kalon në Shqipëri, duke mos pasur mbështetjen e plotë nga qeveria. Ndihma që ai ka nga trajneri i notit është mjaft e madhe, ku Gentiani në shumicën e rasteve kontribuon me paratë e tij për zhvillimin akoma edhe më të madh të karrierës së Gersit në arën ndërkombëtare. Nga ana tjetër edhe për nënën e tij nuk ka qenë e lehtë pasi shteti nuk ka financuar mjaftueshëm për të. Fatmirësisht në Shqipëri ekziston organizata “Special Olympics Albania”, e cila ofron një mbështetje shumë të madhe jo vetëm për Gersin, por për të gjithë individët me këtë sindromë që duan të merren me sporte.

Përsa i përket ndryshimeve që priten nga kjo organizatë dhe propozimeve që ata kanë hedhur në shtet për zhvillimin e këtyre personave, ja çfarë thotë Roland Hysi:

Ne i kemi çuar propozimet tona. Presim që ato propozime të miratohen dhe ligji të kalojë. Pastaj e thashë që mbetet sfidë nëse do të miratohet apo jo buxheti i plotë që ne do të kërkojmë. Sigurisht që nuk mbaron me aq, por ne do të këmbëngulim derisa të ketë një zgjidhje, sepse Gersi e meriton, trajneri e meriton, atletët tanë në fund të ditës e meritojnë.

A ka Gersi kolegë të tjerë që duan të stërviten që janë pjesë e “Special Olympics Albania” dhe që kanë objektiva për të ardhmen për të shtuar numrat e medaljeve për këto sporte?

Normal që duhet me e thënë edhe këtë pjesë, sepse sportistët pa u marrë me not, nuk aktivizohen. Edhe pjesa që unë them që të merren sa më shumë me not, domethënë që të mos jenë të kushtëzuar. Të jenë më aktivë.

Trajneri i notit, Gentiani, shtoi se momentlisht ka edhe persona të tjerë me këtë sindromë që po stërviten nga ai:

Momentalisht kam dy vajza, Irisin dhe Belkisën, që po stërviten. Kështu që janë në rrugë të mbarë që ne në kampionatet ose në aktivitetet e tjera që do të zhvillojmë, në qoftë se do të mundemi të sigurojmë mundësinë financiare edhe këto do t’i bashkëngjisim si pjesë të grupit dhe të angazhohen gradualisht në këto kompeticione.