Celebrities Film & Tv

“The Batman” Në një shekull me dy Joker-a të shkëlqyer, Ledger dhe Pheonix, pse të mund mos kemi dy Batman po aq shkëlqyes? Pyetja është, a mundemi? Kritikë.

Errësira e “The Batman“është e kudogjendur, fizike dhe psikologjike. Qyteti i Gotham-it mbas Halloween-it sheh aq diell sa Finlanda veriore në mes-Dhjetorit. Një qytet në agoni, e ka dhimbjen të nderë në ajër dhe mushkëritë e tij mezi mbushen me oksigjen, duke u përpjekur, njësoj si llampat e rrugëve, drita e të cilavë është e mugët, të lagura nga shiu, gjaku, dhe vreri, si çastet e fundit të një qiriu, që do fiket nga momenti në moment.

“The Batman” ka shkuar nga shiu – në breshër. Është e vështirë ta kujtojë kush personazhin e Batman-it në vitet 1960. Në televizionin e asaj kohe, njeriu lakuriq nate kishte batutë, solaritet, humor. Në vitet kur personazhi u adoptua nga ekrani i madh i kinemasë (’80 – Keaton – Clooney – Kilmer) ishte pak flirtues, duke marrë nga karizma e agjentit 007. Në shekullin e ri Batmani i Matt Reeves është edhe më i errët se ai i Christpher Nolan [nëse kjo është e mundur] (Triologjia Dark Knight).

Batman-i modern ka shumë sfida për të kaluar si film dhe si personazh. Robert Pattinson, më i riu në universin e Batman-ëve të universit kinematografik të DC Comics arrin të kapë thelbin e një personazhi të privuar nga çdo lloj gëzimi apo kënaqësie personale. Madje aq përtej ka shkuar historia në filmin e ri, saqe Batman-i dhe Bruce Wayne janë më të se në çdo film tjetër, pavarësisht se janë i njëjti njeri. Këtu ndrrohen kostumet, por karakteren qëndrojnë njëlloj.

Për gati tre orë (2 orë e 55 minuta për të qënë të saktë) “The Batman” me regji të Matt Reeves dhe skenarin që ai e shkruajti me Peter Craig, lundron në ujëra familjare, një ambient krimi, korrupsioni dhe zemërimi. Kanalet e ujërave të keqbërësve mesa duket janë të thella, sepse edhe mbas dy vitesh nga kapja e një organizate kriminale të fuqishme, rrugët gëlojnë nga të droguarit (të quajtur ‘dropheads’) dhe klubet e natës janë të mbushura me politikanë të korruptuar.

Nuhatja për nuanca etike dhe kompleksitet politik në filmat e Reeves e ndihmojnë shumë filmin e ri, i cili vazhdon ende të përçapet në të njëjtin vend ku “The Dark Knight” e la 13 vite më parë (dhe këtu përfshijmë edhe satelitin e tij, “Joker’-in e fundit). Kjo mund të përkthehet lehtësisht si një përgjigje alegorike për realitetin që jetojmë, i cili me grimasat e tij, i ngjason gjithmonë e më shumë një filmi hollywood-i, por mund të jetë edhe një lloj ‘dembelizëm estetik’. Reeves ka eksperimentuar këtë stil edhe më herët në filmat e tij “Planet of the Apes” – Dawn (2014) War (2017), duke e ndihmuar shumë kufizimin e një blockbuster (një film i shpenzuar i shtëpive të mëdha të prodhimit, i cili ka si qëllim vetëm argëtimin dhe në përgjithësi shihet me sy përçmues nga kritikët e artit të shtatë). Bazuar në librin komik “The riddler”, Batman-i i ri ndihmohet nga dy personazhe dhe aktorë të cilët janë të ngjashëm dhe njëkohësisht të ndryshëm nga aletatët dhe armiqtë e të shkuarës së tij – Paul Dano, Peter Sarsgaard. Po aq përçapet të ndihmohet nga zelli i Zoe Kravitz [Catwoman], Colin Farrell totalisht i padallueshëm si Pinguini, Andy Serkis si Alfred apo John Turturro.

Kur një film arrin majat, edhe pse modeli i biznesit e kërkon një të ri, duhet të pranohet që është e pamundur, pavarësisht të gjithë përpjekjeve, për të bërë diçka më të mirë. Aksioni ndalon shpesh për biseda të gjata, Pattinson është tërë kohës sa Batman sa jo Batman, edhe pse në skena me të njëjtin intensitet, dhe thelbi është një thriller i [David] Fincher (“Se7en” (1995), Brad Pitt, Morgan Freeman) me vrasësin që mbasi lë pikëpyetjet e tij zbulohet në fund.

Në fjalët e Capital T:

Tash është shumë vonë

Por pavarësisht se filmi nuk është i mirë, ai nuk është i keq, e në përfundim nuk e di pse kërkon të shohësh vazhdimin, diçka që nuk ka ndodhur që nga koha e Nolan-it dhe mbase kjo duhet konsideruar fitorja më e madhe e ‘The Batman’.