Film & Tv

“The Son” duket si tasqebap mbas shijes që na la “The Father”. Filmi i dytë i Florian Zeller është larg kompleksitetit të të parit, dhe për këtë nuk ia lëmë dot fajin protagonistit Hugh Jackman. Kritikë.

Kur kam parë trailerin e këtij filmi, si baba djemsh, isha shumë shumë kurioz për ta parë. Drama që paraqitej aty ishte një nga frikërat më të mëdha të një prindi. Të them të drejtën nuk ma shtoi kuriozitetin as protagonisti dhe as nuk e vura re se kush ishte regjisori i filmit. Kur i erdhi dita për ta parë u ngazëlleva prej regjisorit; i njëjti i filmit “The Father” (Anthony Hopkins) një dramë e jashtëzakonshme që e çoi Florian Zeller në majat më të larta të kinemasë botërore, deri në Oscar-ët e 2021 ku Hopkins në moshën 83 vjeçare morri statujën e tij të dytë duke u bërë kështu aktori më i moshuar që vlerësohet me një çmim Oscar në kategorinë “Aktori më i Mirë Protagonist”. Ngazëllimi zgjati pak sepse “The Son” as nuk i afrohet gjenialitetit të debutimit të Zeller në kinema.

Njësoj si “The Father” edhe “The Son” është përshtatur për ekranin e madh (e të vogël) nga një shfaqe në teatër e shkruar nga Zeller. Drama flet për një baba të suksesshëm në biznes – Peter (interpretuar në mënyrë fantastike nga Hugh Jackman) i cili përpiqet të kuptojë problemet mendore të djalit të tij adoleshent nga martesa e tij e mëhershme. Por sado i zoti që është Jackman, në vetëm një skenë të shkurtër Hopkins e terr ekranin me ligësi dhe urrejtje. Sidoqoftë nuk është ky problemi pse “The Son” është i thatë në përcjelljen e tij, gati gati bazik. Drama sado e fortë është e treguar në mënyrë aq lineare sa e bën atë të zakonshme, absolutisht jo të krahasueshme me “The Father”.

Një nga arsyet mund të jetë që historia tregohet me sytë e të rriturit dhe jo atij që po e vuan dramën – Nicholas (Zen McGrath – një prerje e Timothée Chalamet alla AliExpress). Zeller përpiqet të rrëfejë përmes kuadrit të tij se si trishtimi përndjell largim, se si ka një tërheqje të pavullnetshme nga gropa e thellë dhe e errët e depresionit duke e bërë izolimin gati të pashmangshëm në mënyrë të vullnetshme.

Kjo qasje nuk është e re në kinema. Lionel Shriver “We Need to talk About Kevin” dhe Philip Larkin “This Be The Verse” përpiqen njëlloj të racionalizojnë depresionin përmes syve të personazheve të rritur, prindërve, për të shkuar të përfundimi se asgjë që lidhet me depresionin nuk është racionale dhe se çdo ndihmë e prirur nga keqardhja nuk është ndihmë e vërtetë për të prekurin prej tij. Peter-i e pret të birin në shtëpinë e tij të re (është martuar sërish dhe është bërë baba për së dyti) sepse kjo është gjëja e duhur, ose mbase sepse nuk do t’i përngjajë të atit i cili nuk kishte treguar kurrë anën e tij empatike kur ai ishte adoleshent.

Filmi në thelb është një odise e të gjithë personazheve për katarsis. Ky i fundit gjithmonë ka një çmim, dhe çmimi që duhet të paguajnë të përfshirët në këtë histori është i vështirë, në mos i pamundur për t’u kapërdirë. Njësoj si Nicholas nuk pranon dot që prindërit e tij nuk janë më me njëri tjetrin, Peter nuk pranon dot që jeta e ktheu në një pasqyrim të babait të tij të urryeshëm, Kate (Laura Dern), ka pranuar vetëm mungesën fizike të ish-bashkëshortit por nuk e pranon dot humbjen e gjithëanshme të tij.

Përtej të gjitha mangësive të “The Son” filmi hap tema të rëndësishme të kohëve që po jetojmë dhe bën një punë të shkëlqyer të shfaqë në ekran të gjitha sfumaturat e të jetuarit pa i kuptuar më të rinjtë në momentet e tyre më të vështira dhe kur kanë kanë nevojë më shumë. Po aq edhe pamundësinë për t’i ndihmuar ata ashtu siç do të donim.

Mirëpo të vjen keq që përbërësit që e bëjnë një film të mirë, ose nuk janë aty, ose janë përzierë gabim duke e bërë “The Son” të ngjashëm me “Extremely Loud & Incredibly Close” (2011), nga traileri tek filmi – shumë zhurmë për asgjë.