Film & Tv

“The Father”, një plan nga afër i një mendje që po kalbëzohet. Kritikë

Anthony (Anthony Hopkins) është pezull në kohë. Nuk e gjen dot kurrë orën, dyshon gjithmonë që dikush ja ka marrë – mbase një nga gratë që e bija i punëson për t’u kujdesur për të, mbase një nga burrat që i takon në sallon dhe që pretendojnë të jenë burrat e së bijës. Por ora është gjithmonë në një sirtar në banjo, aty ku ai vë sendet e tij me vlerë, një zakon i kahershëm, një sekret jo edhe aq sekret, sepse e bija e di gjithmonë që ora është gjithmonë aty.

Dëshira e Anthonyt për të vënë rregull në jetën e tij shkatërrohet gjithmonë prej mënyrës se si koha i rrëshket nga duart, është akoma me pizhamat e zgjimit kur i thonë që është koha për të ngrënë darkën. E bija, Ana (Olivia Coman), i thotë gjëra, gjëra si ‘kam takuar dikë dhe do të nisem për Paris, do jetoj atje’. Por kur ai i rikthehet argumentit për ta folur me të – ajo bën sikur kjo gjë nuk ka ndodhur. Akoma dhe më frikësuese është fakti kur një grua tjetër që ai nuk e ka fare idenë se kush është e thërret babi dhe i thotë se është Ana. Gjithçka i ngelet të bëjë është të përtypë lëmshin e pakuptueshëm dhe të mundohet të bëjë përpara.

“The Father” është debutimi si regjisor i romancierit dhe skenaristit francez Florian Zeller, dhe përshtatjen për ekranin e madh të veprës së tij e ka bërë me ndihmën e Christopher Hampton. Një dramë tmerruese e treguar nga mendja që ka nisur të kalbëzohet e personazhit kryesor. Makthi është edhe më i madh sepse ky i fundit ka mjaftueshëm kthjelltësi sa të kuptojë që diçka nuk shkon, edhe pse nuk është në gjëndje të kuptojë se çfarë. Çdo ditë përplaset me një mur të ekzistencës të tij pa qenë në gjëndje të kuptojë ku fillon e ku mbaron. Në fillim të filmit ai duket se jeton vetëm në një apartament në Londër që e ka blerë 3 dekada më parë, një hapësirë e mjaftueshme për shijet e tij dhe me ngjyrën e tij të preferuar në mure. Sapo ka përzënë kujdestaren e rradhës që Ana i ka sjellë sepse është mjaftueshëm mirë – me këmbë e me duar – ndaj nuk i duhet dikush që ti prishi rehatinë më shumë se ta ndihmojë. Pastaj ka një shkëputje. E në skenën tjetër duket sikur apartamenti nuk është i tij dhe jeton në shtëpinë të bijës, e cila rrefuzon ta çojë në një azil.

“The Father” është si një formuese që spërdredh kohën në mënyrë dredharake. Detaje si – pulë për darkë, një divorc, ardhja e një kujdestareje të re Laura (Imogen Poots), biseda për azile pleqsh, Parisin kthehen në diskurs dhe e bëjnë të pakutpueshme të tashmen nga e shkuara. Është një histori që të thyen zemrën vazhdimisht. Aq më shumë kur fillojmë të kuptojmë edhe këndvështrimin e Anës, dhe vetëdijësimin e saj se sa e vështirë po bëhet për t’u kujdesur për babain i saj dement. Një baba që ndonjëherë e di që ajo është e martuar dhe jeton me të shoqin (Rufus Sewell) dhe ndonjëherë ai i duket i panjohur (Mark Gattis). Një bashkëshort që është shumë më pak i durueshëm me vjehrrin e tij sesa e bija. Me gjasë fundi i filmit tregohet që në skenën e parë, edhe pse kjo pak rëndësi ka, pasi i gjithë filmi të indukton një ankth të jashtëzakonshëm prej gjendjes që jeton personazhi kryesor.

Shumica e shfaqeve teatrale që sillen në ekranin e madh dhe të vogël janë si pa ajër, por klaustrofobia e “The Father” (një burrë që (thuajse) kurrë nuk del nga shtëpia e tij, i bën një nder filmit. Skena është e varfër sepse dialogjet janë të pasura – një marrëdhënie që vazhdon të ç’bëhet pavarësisht si kishte qënë përpara sëmundjes mes një vajze dhe të atit.

Colman është një Ana me buzeqeshje të vrara dhe durim tëpakufijshëm ndërsa përkund të atin në gjumë si fëmijë. Hopkins si Anthony është një personazh aq mizor sa i dobët me një kreshendo të mahnitshme të historisë, dhe bipolaritetit që gjithmonë e qan në personazhet e tij. Hopkins fitoi Oscarin e tij të dytë, diçka që nuk ndodhi dot me Colman. 83 vjeçari nuk ishte i pranishëm në ceremoni madje (siç u shpreh ai) as nuk e mendonte se në ketë moshë do të merrte një çmim. “The Father” është një himn për njeriun dhe njerëzoren dhe se si demenca e zhvesh këdo nga kjo, pavarësisht gjithçkaje, përfshirë dashurinë. Tragjedia është e pashmangshme… por tragjeditë e mëdha fillojnë me dashuri të mëdha siç është çdo sekondë e këtij filmi.