Celebrities Showbiz

Travis Scott do të mbulojë shpenzimet për familjet e të prekurve në ngjarjen tragjike në koncert!

Travis Scott do të mbulojë të gjitha shpenzimet e funeralit për tetë viktimat që vdiqën në festivalin e tij “Astroworld” të premten, sipas një deklarate të publikuar të hënën nga një përfaqësues i reperit dhe producentit. Artisti i lindur në Houston do të bashkëpunojë gjithashtu me “BetterHelp” për të ofruar shërbime falas të shëndetit mendor për të gjithë ata që janë prekur nga tragjedia.

Travis mbetet në biseda aktive me qytetin e Hjustonit, organet e zbatimit të ligjit dhe reaguesit e parë lokalë për t’u lidhur me respekt dhe në mënyrë të përshtatshme me individët dhe familjet e të përfshirëve në tragjedi. Këto janë hapat e parë nga shumë të tjerë që Travis planifikon të marrë si pjesë e zotimit të tij personal për të ndihmuar të prekurit gjatë procesit të tyre të pikëllimit dhe rimëkëmbjes.

Organizatorët e “Astroworld” do të ofrojnë një rimbursim të plotë për të gjithë ata që kanë blerë biletat, si ata që morën pjesë të premten dhe ata që mbanin bileta për ngjarjet e anuluara të së shtunës, tha një burim i afërt me situatën për “CNN” të hënën. “CNN” ka kontaktuar me promovuesin e festivalit “Live Nation” për informacion në lidhje me procesin e rimbursimit.

Në një deklaratë të veçantë të hënën, “Live Nation” deklaroi se kompania po punon në mënyra për të mbështetur të pranishmit, familjet e viktimave dhe stafin duke ofruar këshillim për shëndetin mendor dhe do të ndihmojë me kostot e spitalit. Scott reagoi në mediat sociale gjatë fundjavës dhe shkroi:

Jam absolutisht i shkatërruar nga ajo që ndodhi. Lutjet e mia shkojnë për familjet dhe të gjithë ata që u ndikuan nga ajo që ndodhi në “Astroworld Festival”.

Partnerja e Scott, Kylie Jenner, ishte e pranishme në festival dhe gjithashtu postoi një deklaratë për të thënë se ajo dhe Scott nuk e dinin se çfarë po ndodhte në turmë gjatë performancës.

Dua ta bëj të qartë se nuk ishim në dijeni të ndonjë fataliteti derisa lajmi doli pas shfaqjes, në të kundërt kurrë në botë nuk do të kishin vazhduar xhirimet apo performancat.

Scott doli në skenë pak pas orës 21:00 të premten për të performuar para 50,000 të pranishmëve. Disa nga ata pjesëmarrës të koncertit e përshkruan ngjarjen si traumatizuese, me shumë dëshmitarë që thanë se panë trupa të pajetë duke u shkelur në mes të kaosit. Raportet e para për lëndimet filluan në orën 21:30, me Scott që vazhdoi të performonte deri pak pas orës 22:00.

Ai ndaloi së performuari në një moment kur një ambulancë u pa duke u futur në turmë. Shefi i policisë së Houston, Troy Finner i tha “CNN” se hetimi është në vazhdim dhe po i kërkon komunitetit “të jetë i vëmendshëm ndaj familjeve të prekura” dhe t’ë luten për to.

Rikujtojmë se, vetëm disa ditë pas një incidenti fatal në koncertin e Travis Scott në Astroworld në Hjuston, një burim konfirmon për mediat e huaja se reperi ka anuluar paraqitjen e tij kryesore në festivalin Day N Vegas. Pas tragjedisë shkatërruese në Astroworld, e cila la tetë të vdekur dhe dhjetëra të shtruar në spital, Travis Scott nuk do të dalë më në skenë në festivalin e ardhshëm Day N Vegas.