Aktualitet

Zjarret “djegin” Shqipërinë, në “flakë” edhe Greqia me Turqinë

Dy avionë Canadair kanë mbërritur nga Selaniku për të shuar zjarrin në malin e Cikës që ka shkrumbuar pyje me pisha, rreth 70 hektarë deri tani.

Flakët vijojnë të përhapen prej 4 ditësh. Fillimisht, ranë në “Palikonjë” e në terren vijon një operacion masiv për shuarjen e tij, me angazhimin edhe të 90 ushtarëve në Dhërmi, krahas zjarrfikësve të Himarës.

Terreni i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj tha se nuk rrezikohen pushues e banesa.

Theksojmë se ky sezon veror e ka gjetur Shqipërinë në flakë. Pas malit të Çikës në Vlorë, zjarri ka përshirë kodrat e fshatit Vajkan në Fier. Raportohet se afër vatrës së zjarrit ndodhen dhe disa banesa.

Forcat zjarrfikëse janë përqendruar te ngritja e pengesave për të mos lejuar përhapjen e flakëve në zonat e banuara. Në afërsi ndodhet gjithashtu dhe një kishë. Deri më tani zjarri ka djegur disa rrënjë ullinj dhe peme frutore.

Një zjarr i madh pyjor në ishullin grek të Samosit u rindez për të dytën ditë radhazi sot, pasi zjarrfikësit dhe vullnetarët luftuan me flakët gjatë gjithë natës, edhe përmes ndërhyrjeve nga ajri.

Ushtria dhe punonjës në varësi të pushtetit vendor në zonën ku konstatohen vatrat, po japin mbështetje me pajisje dhe cisterna uji. Kujtojmë se një ditë më parë, një helikopter u rrëzua në det gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve.

Zjarre masive ka edhe në Turqi. evakuohen 450 familje, 9 persona përfundojnë në spital. Sipas mediave turke vatrat e zjarrit janë lokalizuar në jug-perëndim të vendit, me zjarrfikësit në betejë për të shuar flakët. Erërat e forta e vështirësojnë aksionin për të izoluar zjarrin, duke e përhapur akoma më shumë.