BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Tea Dupi. Ajo ka folur më shumë mbi temën: “shqiptarët bëjnë pushime për qejf apo për tangërllëk?” Si e mendon Tea trendin e të rinjve sot për t’u dukur sa më shumë?
A është për të ardhur keq që në shoqërinë tonë ka vajza që i vetëofrohen meshkujve për të përfituar 2 netë falas për pushime në jug? Dhe ka djem që u vetëofrohen çunave për të qëndruar pranë tyre si ‘zar’, për të shkuar për të blerë cigare se ai ka ardhur nga jashtë dhe paguan dhomën 1 mijë euro në resort?
Nuk duan të investojnë, të lodhen, i duan gjërat qyl. Është çështje konceptuale, që sa vjen e rëndohet. Sepse zilia për të pasur atë gjë që ka ai tjetri, duke mos e ditur këpucët që ka veshur ai dhe rrugën që ka shkuar… Se ne themi ‘çunat e Londrës’, por nuk e dimë me statistika se sa janë në burg e sa janë vrarë e sa vuajnë. Pra nuk është aq kollaj dhe leku që ka bërë ai ‘çuni i Londrës’ dhe është papërgjegjshmëria e tij që e ka fituar atë lek me shumë mund. Dhe ai vjen për të bërë pushime dhe e hedh lekun, nuk është se e vret shumë mendjen, ka dikë gati aty dhe kalon pushimet e veta dhe ikën. Çështje edukate, çështje niveli, çështje kulture, çështje e dëshirës për të jetuar momentin pa investim për të ardhmen. Unë kam një pyetje: Ata që jetojnë atë që nuk e kanë, a ndihen të lumtur? Kur janë ulur dhe mund të pijnë një gotë verë në një kuti 5 litërshe që kushton 7 euro, por që mund të jetë shumë e mirë, a janë të kënaqur me atë që kanë bërë? A ndihen të plotësuar dhe thonë ‘kaq desha’? Unë njoh shumë prej tyre që vetëm zbrazen dhe nuk ka gjë më të keqe se të investosh shkurt, për të zbrazur shpirtin tënd që është i madh. Për mua nuk ka rëndësi se si e ndërton ti jetën tënde, janë të gjitha alternativat. Ti e bën ashtu, unë kam zgjedhur të bëj atë që mua më mbush brenda vetes.