Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, sot nisi vizitën në Tiranë, me një takim të zhvilluar në institucionet e Vetting-ut. Siç theksohet në njoftimin zyrtar për mediat nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK “në takim u diskutua mbi ecurinë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, rezultatet e deritanishme dhe sfidat në vazhdim”.
Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, Pamela Qirko i shprehu Komisionerit Varhelyi falënderimet e Komisionit për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të Brukselit zyrtar për Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetting-ut. Qirko nënvizoi se “KPK do të vijojë me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përmbyllje të procesit, me paanshmëri, integritet dhe profesionalizëm, pavarësisht vështirësive”.
Nga ana e tij, Komisioneri Varhelyi e cilësoi realizimin e procesit të rivlerësimit një “arritje themelore për të ardhmen e vendit”, si dhe shprehu vlerësime për punën e deritanishme të organeve të vetting-ut. Njëkohësisht, Komisioneri Varhelyi u shpreh se “sulmet ndaj anëtarëve të organeve të rivlerësimit dhe familjarëve të tyre, duhet të ndalojnë”.
Zyrtari i lartë europian inkurajoi anëtarët e organeve të rivlerësimit të vijojnë me procesin, bazuar mbi themelet e forta të punës së bërë, si edhe garantoi mbështetjen e plotë të Komisionit Europian në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
E nisa vizitën time me një shkëmbim të mirë me institucionet vetting-ut dhe ONM-së sot në Tiranë. Rikonfirmoj mbështetjen e plotë dhe të fortë të BE-së. Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e vendit. Sulmi ndaj organeve të vetting-ut dhe anëtarëve apo familjeve të tyre duhet të ndalet!
Lidhur me vizitën që eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi zhvillon sot në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri njoftoi se “Várhelyi vjen për t’u theksuar autoriteteve shqiptare angazhimin e Unionit ndaj perspektivës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Zyrtari i lartë do të takojë kryeministrin Rama, me të cilin do të japë një konferencë shtypi.
Po në Tiranë, Komisioneri i Zgjerimit i Bashkimit Europian do të takohet me komunitetin shqiptar të biznesit. Po ashtu do të vizitojë konviktet e studentëve që po rehabilitohen përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së si dhe do të inaugurojë dy shkolla të rindërtuara përmes programit EU4Schools.