Live From Tirana

“Viktima të shoqërisë”/Sociologu Gëzim Tushi: Adoleshentët, hallka më e dobët!

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologu Gëzim Tushi. Ai ka komentuar më shumë mbi ngjarjet tragjike të ndodhura muajin e fundit në vendin tonë. Si i shpjegon ai këto?

Duket kuptuar së pari se adoleshentët janë viktimë e shoqërisë, nuk janë adoleshentët fajtorë. Jo. Jemi ne, janë rrethanat në të cilat janë rritur. Adoleshentët kanë problemet e tyre, është një moshë plastike, është një moshë që ka ca kontradikta të brendshme, kështu i ka sjellë Zoti, piqet fizikisht, piqet seksualisht, nuk piqet mendërisht. Ka kontradikta midis vetes së tij, mes mishit, trupit, seksit, një gjendje kaotike që e bën të shqetësuar adoleshentin dhe e bën neurotik. Dhe kjo e bën që të bëhet agresiv, kjo e bën që të mos durojë dot kërkesat e disiplinës, kërkesat e autoritetit. I keni parë që adoleshentët urrejnë dy institucione, familjen dhe shkollën? Dy figura kanë inat, prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë. Se ata janë figura që kërkojnë në një farë mënyre disiplinë. Pra së pari duhet të kuptojmë problemet e brendshme të adoleshentëve. Dhe kjo kërkon një mendjemprehtësi, një vigjilencë prindërore, një empati nga ana e mësuesve, për të kuptuar problemet që ka kjo moshë plastike. Termi moshë plastike është optimist, do të thotë që këta fëmijë mund të formohen nëse ne punojmë me ta. Nëse ne i lëmë në mënyrë lineare që të zhvillohet vetë, nga këta fëmijë nesër dalin kriminelët, dalin hajdutët, dalin qenie asociale, dalin këta njerëzit që po e shqetësojnë shoqërinë e sotme.