Dua Lipa ka kritikuar hapur mënyrën se si media ka raportuar për rastin e Jeffrey Epstein, duke thënë se shpesh viktimat lihen në hije dhe serioziteti i krimeve minimizohet.
Gjatë një bisede në podcast-in “Service95 Book Club” me Roxane Gay, ajo theksoi se gjuha që përdoret në shumë artikuj krijon distancë emocionale, duke e bërë publikun të mos e kuptojë plotësisht dhunën dhe traumën që kanë përjetuar viktimat.
Sipas saj, një pjesë e mediave fokusohen më shumë te detaje sipërfaqësore, si “vajza të mitura” apo “festa”, duke shmangur faktin e rëndë se bëhet fjalë për fëmijë të trafikuar dhe të abuzuar.
Këngëtarja shtoi se kjo mënyrë raportimi ndryshon mënyrën si publiku e percepton ngjarjen dhe krijon një lloj “perdeje” që zbut realitetin e ashpër.
Dua Lipa e cilësoi këtë fenomen si shqetësues, duke thënë se edhe në raste kaq të rënda, informacioni shpesh paraqitet në mënyrë që e largon vëmendjen nga viktimat.
Në fund, ajo bëri thirrje për një raportim më të drejtë dhe më të drejtpërdrejtë, që i jep zë dhe respekt atyre që kanë vuajtur, pa e zbutur realitetin e krimeve.