Aktualitet

VKM/ Pranvera Skana emërohet zëvendësministre e Mbrojtjes! Lirohet nga detyra Andrea Shllaku!

Qeveria ka emëruar Pranvera Skanën në detyrën e zëvendësministres së Mbrojtjes.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa pritet të botohet në Fletoren Zyrtare. Në të njëjtin vendim, qeveria njofton edhe lirimin nga detyra të ish zëvendës ministrit Andrea Shllaku.

Pranvera Skana ka qenë kandidate në listat e PS-së për Lezhën në zgjedhjet e 2025-ës.

Ajo vjen nga fusha e komunikimit dhe medias. Skana ka lindur në Rrëshen të Mirditës, ku ka përfunduar arsimin parauniversitar, ndërsa studimet e larta i ka ndjekur në Universitetin e Tiranës për Gazetari dhe Komunikim.

Më pas, ajo ka vijuar specializimin në Londër, duke përfituar dy bursa për lidership akademik. Ka kryer studimet master në University of Westminster dhe ka qenë kërkuese shkencore në London School of Economics.

Që prej vitit 2014 mban titullin Doktor në Shkencat e Komunikimit.

LEXO EDHE: LAJMI I FUNDIT/ Mesazhi i ambasadës së SHBA në Tiranë: Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri!

Skana ka qenë aktive në media, duke trajtuar tema që lidhen me emigracionin, politikën britanike, çështjet sociale, barazinë gjinore dhe ndikimin e rrjeteve sociale.

Në periudhën 2016-2019 ka shërbyer si diplomate në Ambasadën Shqiptare në Londër, ku është angazhuar në promovimin e Shqipërisë dhe diplomacinë publike, përfshirë organizimin e aktiviteteve si “Një mik për Shqipërinë”.

Ajo ka kontribuar gjithashtu në krijimin e rrjeteve të grave dhe profesionistëve shqiptarë në Britani.

LEXO EDHE: Zbardhen vendimet e Qeverisë/ 100 milionë lekë mbështetje për biznesin, tekste falas për nxënësit. Miratohen zonat prioritare në 4 bashki për Paketën e Maleve!