Aktualitet

Vrasja e Martinit, sot protestë te Ministria e Arsimit!

Qytetarët do të ngrihen sërish në protestë për vrasjen më 18 nëntor të 14-vjeçarit, Martin Cani pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, në qendër të kryeqytetit nga një bashkëmoshatar, i cili akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese dhe të premten iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg”. Protesta do të zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, në orën 17:00. Paraprakisht, nga protestuesit janë listuar një sërë kërkesash në lidhje me rritjen e sigurisë në shkolla, si dhe për dorëheqjen e ministres së Arsimit.

Kërkesat janë:

Shtimi i buxhetit për arsimin me 5% të GDP

Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe stad mbështetës

Çdo shkollë të ketë psikolog

Qëndrimi i fëmijëve në shkolla deri në orën 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat

Të hiqen telefonat në orën e mësimit

Çdo shkollë duhet të ketë oficer sigurie

Dorëheqjen e Ministres së Arsimit.

Ndërkaq, paralajmërohet se nëse nuk iu plotësohen kërkesat do të ketë edhe bojkot të mësimit. Migen Qeraxhi nga Qëndresa Qytetare:

Siç do të duhet të ndodhte në një shtet normal kërkuam dorëheqjen e ministres së Arsimit. Kjo dorëheqje do të krijonte precedentin dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi. Kjo gjë s’do të mjaftonte por do të hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame. Kësaj ministre dhe shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve tanë, kurse ata nuk arritën që t’i mbronin as jetën.

Ne do të jemi ditën e hënë përpara Ministrisë së Arsimit ora 17:00 për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe se nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Ajo që ka ndodhur në këtë shkollë nuk ishte rrufe në qiell të hapur, ishte sinjal që ne të reagojmë për problematikat që përballen në shkolla.

Nuk janë teka, por domosdoshmëri. Ne si qytetarë dhe prindër të këtij vendi zotohemi se nuk do të largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen. Do të konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit. Duhet të jemi në protestë fillimisht për Martinin, i detyrohemi fëmijëve tanë.