Aktualitet

Vrasja e Renato Hoxhajt, arrestohet një i dyshuar në Tiranë, mik i Roan Brahimit!

Një person, që dyshohet se ka siguruar kushtet për vrasjen e Renato Hoxhajt në Vlorë, është vënë në pranga në kryeqytet.

Ai është nga Tropoja, merrej me shitje pronash dhe njihet si mik i Sidorel Prendit (Rohan Brahimit).

Arrestimi i tij erdhi pas hetimit të policisë së Vlorës, e cila identifikoi makinën me të cilën lëvizi vrasësi. Rezulton se këtë makinë tropojani ia kishte dorëzuar autorit para krimit, ndërsa mjetit i ishin ndërruar edhe targat.

Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarit i është sekuestruar një celular, brenda të cilit janë gjetur të dhëna të vlefshme për hetimin, ku dyshohet se vrasja është porositur nga një grup kriminal nga Emiratet e Bashkuara.

Policia është duke thelluar hetimin për të mbërritur tek emri i ekzekutorit, i cili ende nuk është identifikuar.

Duket se dhe viktima i druhej një sulmi pasi kishte shtuar masat e sigurisë. Ne banesën e tij rreth dy muaj më parë kishte instaluar në çdo cep kamera sigurie, të cilat filmuan ngjarjen dhe makinën e autorit. Por, frikën për sulm të mundshëm nuk e kishte raportuar në polici.

Si ndodhi ngjarja?

Renato Hoxhaj u gjet i pajetë mëngjesin e 27 Prillit në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij. Ai u ekzekutua me katër plumba, dy në kokë dhe dy të tjerë në trup. 58-vjeçari punonte si roje në një objekt ndërtimi pranë shtëpisë së tij, punë të cilën e kishte lënë para një viti.

Policia ka marrë në pyetje 5 persona, mes tyre edhe bashkëjetuesen e tij. Ajo tha për mediat se 58-vjeçari nuk kishte shprehur shqetësime për konflikte të mundshme por ditët e fundit qëndronte i heshtur. Rakipaj ka dëshmuar para grupit hetimor se kishte dëgjuar disa të shtëna, por kishte menduar se janë fishekzjarre.