Mërkuri është një nga metalet më toksike që kërcënon seriozisht shëndetin e njeriut. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ai renditet ndër dhjetë kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik, pasi dëmton trurin, veshkat dhe sistemin nervor, si dhe lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri.
Megjithëse peshku është një burim i rëndësishëm i ushqyesve të vlefshëm, sidomos në dieta si ajo mesdhetare, studime të ndryshme kanë zbuluar se toni i konservuar përmban shpesh nivele të larta të merkurit.
Sipas hulumtimeve të fundit të kryera nga Universiteti Suedez i Shkencave Bujqësore dhe Universiteti i Teknologjisë Chalmers në Göteborg, zhytja e mishit të tonit në ujë të pasuruar me aminoacidin cisteinë mund të largojë deri në 35% të merkurit të pranishëm.
Efekti i pastrimit varet nga koha dhe kontakti me tretësirën, por mbetet i qëndrueshëm deri në dy javë.
Eksperimentet laboratorike kanë treguar se trajtimi me cisteinë nuk ndryshon pamjen, shijen apo aromën e peshkut.
Rezultatet tona tregojnë se kjo metodë mund të përmirësojë sigurinë ushqimore pa ndikuar në procesin e prodhimit
-u shpreh Femislav Strahovski nga Universiteti Chalmers.
Kush është më i rrezikuar nga ekspozimi ndaj mërkurit?
Mërkuri, në veçanti në formën metilmerkur, është jashtëzakonisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Ai mund të shkaktojë dëmtime neurologjike, çrregullime të sjelljes, dëmtim të veshkave dhe probleme me shikimin.
Edhe pse studimet tek njerëzit janë ende të kufizuara, kërkimet në kafshë sugjerojnë lidhje të mundshme me zhvillimin e tumoreve.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht rrezikut, përfitimet e konsumit të moderuar të peshkut janë të mëdha, veçanërisht nëse zbatohen metoda si ajo e trajtimit me cisteinë.
Qasja jonë nuk synon të kufizojë konsumimin e peshkut, por të ofrojë një zgjidhje për ta bërë atë më të sigurt për të gjithë
-tha shkencëtari Mehdi Abdolah, një nga autorët e studimit.