Bota Botë e Çuditshme

Zbulohet se përse ndodhi tharja e Detit Mesdhe 6 milionë vjet më parë!

Një studim i Institutit të Kërkimeve Franceze CNRS ka zbuluar shkakun e avullimit pothuajse total të Detit Mesdhe rreth gjashtë milionë vjet më parë, një fenomen që e ktheu atë në një lagunë të madhe kripe. Rreth 83% e ujit të Mesdheut u avullua, çka shpjegon praninë e mbi një milion kilometra kub depozitash kripe në fundin e detit. Deri tani, shkaku i kësaj tharjeje të plotë ishte një mister, por studimi i ri hedh dritë mbi arsyet. Duket se ngushtica e Gjibraltari, që lidh Oqeanin Atlantik me Detin e Mesdheut, ka qenë pothuajse e mbyllur për rreth 10,000 vjet, duke mos lejuar kalimin e ujit. Kjo ka shkaktuar avullimin e ujit, por kripa ka mbetur në sipërfaqe, duke formuar një kripore gjigante.

“Tërheqja e ujit nga Oqeani Atlantik e transformoi Detin e Mesdheut në një gropë të madhe kripore (para 5,97-5,33 milionë vjetësh)”-thotë studimi. Kjo ndodhi pasi ngushtica e Gibraltarit ishte mbyllur, ndoshta për shkak të aktiviteteve tektonike të larta. “Gjatë këtij zvogëlimi ekstrem, pjesa lindore e Mesdheut humbi deri në 83% të volumit të tij të ujit, ndërsa disa zona të thella, si Joniku dhe Herodoti, mbetën të mbushura me ujë të kripur”-tregon studimi. Përfundimisht, rreth 5,3 milionë vjet më parë, besohet se ka ndodhur një përmbytje e madhe, duke i rikthyer ujërat e kripura Mesdheut përmes ngushticës së Gjibraltarit.