Karriera e Bad Bunny-t është vënë sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për sukseset muzikore, por për një çështje ligjore që mund t’i kushtojë shtrenjtë.
Një grua nga Porto Riko ka ngritur padi ndaj artistit me famë botërore, duke e akuzuar për përdorim të paautorizuar të zërit të saj në dy këngë dhe duke kërkuar 16 milionë dollarë dëmshpërblim.
Sipas dokumenteve gjyqësore, paditësja pretendon se fraza vokale që dëgjohet në këngët e Bad Bunny-t është regjistruar në vitin 2018, në një kontekst krejtësisht privat. Ajo thotë se regjistrimi u bë me kërkesë të producentit Roberto Rosalido, një bashkëpunëtor i hershëm i artistit, gjatë kohës kur të dy ishin studentë dhe ndiqnin të njëjtin kurs.
Unë kurrë nuk u informova se zëri im do të përdorej për qëllime komerciale
-thuhet në padi, ku theksohet se audioja u regjistrua pa asnjë marrëveshje apo kontratë që lejonte përdorimin e saj në projekte muzikore.
Fragmenti i zërit u përdor fillimisht në këngën “Solo de mi”, pjesë e albumit shumë të suksesshëm “X100pre”, i publikuar në vitin 2018. Vite më vonë, i njëjti regjistrim u rishfaq në këngën “EeO”, pjesë e albumit të fundit të Bad Bunny-t “Debí tirar más fotos”, të publikuar në vitin 2025.
Të dyja këngët kanë arritur miliona dëgjime në platformat dixhitale, një fakt që, sipas padisë, justifikon edhe shumën e lartë të kompensimit financiar të kërkuar.
Paditësja pretendon se nuk ka marrë asnjë pagesë dhe nuk është përfshirë në asnjë formë negociimi, pavarësisht suksesit global të këngëve ku dëgjohet zëri i saj.
Nga ana tjetër, Bad Bunny nuk ka reaguar ende publikisht lidhur me këtë çështje. Heshtja e tij vjen në një moment delikat, ndërsa artisti përgatitet për turneun e tij të ardhshëm dhe është sërish në fokus të mediave ndërkombëtare.
Çështja mbetet në zhvillim, ndërsa pritet të shihet nëse kjo padi do të ndikojë në imazhin dhe karrierën e një prej emrave më të mëdhenj të muzikës latine.