Bota

Zgjedhjet ‘izolojnë’ Ekuadorin/ Presidenti mbyll kufijtë e vendit dhe rrit praninë ushtarake në porte!

Në prag të zgjedhjeve të së dielës, Ekuadori ka ndërmarrë masa ekstreme për mbarëvajtjen e procesit.

Presidenti Daniel Noboa njoftoi se kufijtë e Ekuadorit do të mbyllen nga e shtuna deri të hënën, si dhe  do të rritet prania ushtarake në kufij dhe porte.

Ky vendim vjen para zgjedhjeve presidenciale të dielën, ku Noboa do të përballet me 15 kundërshtarë.

Presidenti deklaroi se mbyllja e kufijve është përgjigje ndaj “përpjekjeve të grupeve të armatosura për të destabilizuar vendin.”

Shumë persona janë vrarë në provincën Guayas të Ekuadorit, ku një luftë mes bandave për kontrollin e trafikut të drogës është ndezur, tha policia.

Guayas është një nga gjashtë provincat ekuadoriane që janë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së sulmeve të armatosura. Vrasjet janë tani një plagë në vend, ku shkalla e vrasjeve është rritur shumë vitet e fundit: nga 6 për 100,000 banorë në 2018, në 47 për 100,000 banorë në 2023.