Aktualitet

Zjarret në Greqi/ Ambasada shqiptare: Jemi në dispozicion të njerëzve në nevojë

Ambasada shqiptare në Athinë vihet në dispozicion, për evakuimin e shtetasve shqiptarë që janë në rrezik në ishullin e Rodhos, por edhe në gjithë territorin e vendit.

Me qëllim koordinimin sa më të mirë të punës, procesin e udhëheq zyra e krizave në ministrinë e jashtme greke. Për çdo informacion të nevojshëm, ambasada shqiptare në Athinë mbetet në dispozicion të personave në nevojë.

 

Nga dje pasdite, Rodosit i është shtuar Korfuzi ku autoritetet evakuan 17 fshatra. Roja Bregdetare shpëtoi 59 persona që gjendeshin në plazhin Nisaki. Zjarrfikësit punuan gjithë natën për të mos lejuar që flakët t’iu afroheshin banesave.

Gjatë natës u evakuan 2 mijë e 500 vetë. Për arsye sigurie, banorë dhe turistë u larguan nga zonat që gjenden pranë vatrës së zjarrit, duke u dërguar në stadiumin Agios Markos e në mjediset e Teatrit të Korfuzit, siç bën të ditur Kathimerini.

Sot në mëngjes u forcua dhe zjarri në Rodos, në veçanti pranë Asklipieios në drejtimin jugor. Një këshilltar bashkiak deklaroi:

Shtëpitë po digjen. Tani, fëmijëve do t’iu dorëzojmë tokën e djegur.

Ndërkaq, Mbrojtja Civile Greke ka shpallur alarmin e kuq në pesë qarqe të vendit për shkak të rrezikut ekstrem të zjarreve. Eshtë fjala për të Atikës, Boeotisë, Peloponezit, Ilisë perëndimore dhe Egjeut jugor.