Bota

20 vjet nga 11 shtatori 2001, tragjedia që tronditi dhe ndryshoi botën!

Shtetet e Bashkuara, por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 20-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001. Sulmi ndaj kullave binjake u krye më 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 terroristësh, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore. Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme. 184 persona u vranë në Pentagon atë ditë përfshirë 59 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të avionit që u përplas dhe 125 persona brenda kompleksit.

Ceremonitë në New York dhe Washington do të nisin me një minutë heshtje, në kohën kur ndodhën sulmet. Ekspertët shprehen se 11 shtatori 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.