Bota

Drejt bllokimit akordi për organizatorin e sulmit të 11 shtatorit 2001!

Administrata Biden nguli këmbë në një rast të pazakontë gjyqësor për të penguar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë që vetë qeveria amerikane ka arritur me Khalid Sheikh Mohammedin, organizatorin e akuzuar për sulmet e 11 shtatorit 2001. Administrata amerikane i bëri thirrje një trupe federale apeli që të bllokojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e planifikuar të finalizohet sot në Guantanamo të Kubës.

Avokatët mbrojtës i përshkruan këto përpjekje si shembullin e fundit të një trajtimi “neglizhent” të rastit nga ushtria amerikane dhe administratat e njëpasnjëshme gjatë dy dekadave të fundit.

Kjo betejë po vë përballë administratën Biden me zyrtarët ushtarakë amerikanë, të emëruar për të mbikëqyrur rastet gjyqësore që lidhen me sulmet e 11 shtatorit 2001 të Al-Kaedës, që shkaktuan vdekjen e rreth 3,000 personave.

Një dokument i ri i dorëzuar nga avokatët e Departamentit amerikan të Drejtësisë argumentonte se për shkak të peshës së këtij “rasti jashtëzakonisht të rëndësishëm” është e domosdoshme ndërhyrja e sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin për ta hedhur poshtë marrëveshjen e pranimit të fajësisë.

Marrëveshja e negociuar gjatë një periudhe dy vjeçare dhe e miratuar nga prokurorët ushtarakë dhe zyrtari përgjegjës i Pentagonit për Guantanamon në fund të muajit korrik do të shmangte dënimin me vdekje për të akuzuarin Mohammed e dy të pandehur të tjerë.

Kjo marrëveshje i detyron gjithashtu që t’u përgjigjen pyetjeve mbi sulmet që mund t’u kenë mbetur peng familjeve të viktimave.

Avokatët mbrojtës thonë se marrëveshjet për pranimin e fajësisë tani kanë hyrë në fuqi dhe se Austin nuk ka kompetenca ligjore për t’i hedhur poshtë.

Në Guantanamo, përgatitjet po vazhdojnë për seancën e sotme dhe familjarët e disa prej viktimave janë mbledhur. Nëse mbahet seanca, i akuzuari Mohammed do të betohej në sallën e gjykatës ushtarake dhe më pas avokati mbrojtës Gary Sowards do të dorëzonte deklaratat e pranimit të fajësisë në emër të tij për 2,976 vrasje, krahas akuzave të tjera.

Aktet e pranimit të fajësisë nga dy të pandehurit e tjerë, Walid bin Attash dhe Mustafa al Hawsawi do të bëhen më pas, në fund të këtij muaji. Avokatët thonë se seancat për të përcaktuar dënimin e tyre do të zgjasin me muaj, duke i dhënë qeverisë mundësi për të paraqitur argumentet e saj dhe duke iu mundësuar familjeve të flasin për humbjen e tyre.

Sfidat ligjore dhe logjistike e zvarritën çështjen për sulmet e 11 shtatorit, 17 vjet pasi ngritjes së aktpadisë kundër të akuzuarit Mohammed, për të cilin prokurorët thonë se ideoi përdorimin e avionëve të rrëmbyer në këto sulme. Data e gjykimit ende nuk është përcaktuar.

Prokuroria dhe avokatët mbrojtës kaluan vite të tëra duke debatuar se sa kanë ndikuar torturat të cilave u janë nënshtruar të pandehurit e mbajtur nga Agjencia amerikane e Zbulimit, CIA, tek deklaratat e tyre të mëvonshme në gjykatë.

Duke patur parasysh këtë, verën e kaluar, prokurorët ushtarakë njoftuan familjet e viktimave se zyrtari i lartë i Pentagonit që mbikëqyr Guantanamon e ka miratuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë. Ata e quajtën “rruga më e mirë drejt një fundi dhe drejtësisë”.

Papritur, Austin njoftoi më 2 gusht se po e hidhte poshtë marrëveshjen. Ai tha se vendimi mbi dënimet me vdekje për një rast aq të rëndë sa ai i 11 shtatorit, duhet të merret vetëm nga sekretari i Mbrojtjes.

Këtë javë, Biden iu drejtua gjykatës së Apelit në Uashington pasi gjykatësi në Guantanamo dhe paneli ushtarak për shqyrtim hodhën poshtë ndërhyrjen e Austin-it.

Avokatët e të pandehurit Mohammed argumentuan se “ndërhyrja e jashtëzakonshme e sekretarit Austin në këtë rast është produkt i mungesës së mbikëqyrjes së tij ndaj një të dërguari të emëruar sipas procedurës”, duke iu referuar zyrtares së lartë të Pentagonit që bën mbikëqyrjen e Guantanamos.

Departamenti i Drejtësisë tha se qeveria do të dëmtohet rëndë nëse pranohen marrëveshjet e pranimit të fajësisë.

Sipas tij, qeverisë do t’i mohohet mundësia për një gjykim publik dhe mundësia për “të synuar dënim kapital ndaj tre të akuzuarve për një akt vrasjeje në masë të tmerrshëm që shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve dhe tronditi vendin dhe botën”.