Popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit sipas të dhënave të përditësuara nga Eurostat-i për popullsinë e vendeve kandidate. Në vitin 2025, popullsia zyrtare e Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë, me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia ishte –1.2%, norma më e lartë në rajon.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, rënia e popullsisë së Bosnjë-Hercegovinës është –0.3%, ajo e Maqedonisë së Veriut –0.2%, e Serbisë -0.6% dhe Mali i Zi me -0.1%. Në 4 vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor popullsia ra mesatarisht me 0.3%, ndërsa në Shqipëri gati 4 herë më shumë, me 1.1%.
Diferenca tregon se fenomenet demografike, veçanërisht emigracioni i vazhdueshëm dhe ulja e lindshmërisë, po ndikojnë vendin tonë më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me statusin kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Në vitet e fundit, rënia e popullsisë është përshpejtuar për shkak të tkurrjes së të rinjve që po ulin me shpejtësi lindjet nga viti në vit.
Tkurrja e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë që vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë. Shqiptarët, veçanërisht të rinjtë dhe profesionistët, largohen për paga më të larta, kushte më të mira pune e mundësi më të qëndrueshme karriere në vendet e BE-së. Kjo tendencë është rritur pas liberalizimit të tregut europian të punës dhe skemave të rekrutimit të vendeve si Gjermania, që kanë kërkesa të mëdha për fuqi punëtore.
Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç që përfaqëson grupin e të rinj aktiv në emigrim u tkurr me 45% ndërmjet viteve 2011 dhe 2025.
Gjithashtu, Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit e zëvendësimit dhe nga më të ulëtat në Europë. Shumë çifte të reja shtyjnë krijimin e familjes për shkak të pasigurisë ekonomike, kostove të larta të rritjes së fëmijëve dhe emigrimit të partnerëve.
Në dekadën në vijim, numri i vdekjeve pritet të jetë më i lartë se ai i lindjeve dhe do të krijojë deficit natyror që vetëm do të thellohet nëse nuk merren masa frenuese./Monitor