Momenti më i bukur i festave të fundvitit për Top Median është realizimi i kartolinës së saj që bën bashkë figurat e ekranit të vogël nëpërmjet urimit të ngrohtë për të gjithë shqiptarët. Kënga e fundvitit pritet me padurim nga pjesëtarët e stafit por edhe nga të gjithë shikuesit, pasi tashmë kënga tradicionale e festave është urimi i përvitshëm i Top Medias. Sa prej jush i mbani mend këngët e hershme të saj që i prisnim të transmetoheshin me padurim pas edicionit të lajmeve apo pas publicitetit në Top Channel?! Jo vetëm për të dëgjuar ripunimin e këngëve më të bukura shqiptare por edhe për të parë ndryshe personazhet e preferuar të ekranit e radios apo për t’u hedhur një sy stafit të tyre.
Në prag të Vitit të Ri, ju sjellim edhe një herë si nostalgji, këngët e fundvitit të Top Medias ndër vite dhe kush ka çelur siparin e secilës prej tyre!
“We Are The Champions” (2001)
Ky është urimi i parë që do të niste traditën e përvitshme të urimit të publikut. Bie menjëherë në sy stafi i vogël i Top Albania Radios dhe Top Channel që sapo kishte nisur rrugëtimin si televizioni më i madh i të gjithë shqiptarëve. Këngën e hapin Gent Laku dhe Gent Pjetri.
“We Are The World” (2002)
Ndërkohë që stafi sapo kishte filluar të shtohej, personazhet e parë të Top Channel kishin nisur të binin në sy. Albana Osmani me një look mjaft të veçantë për kohën është një ndër të parat që shfaqet në këtë klip urimi.
“Për Ty Atdhe” (2003)
Video e “Për ty Atdhe” është e para që vjen me një këngë shumë të dashur shqiptare. Me orkestrimin e Gent Lakos, një ndër bashkëpunimet më të famshme të tij për kohën me Top Albania Radion. Klipi është xhiruar në studion e “Fiks Fare” dhe të parët që shfaqen janë Bojken Lako dhe Redi Treni.
“Globi Rrotullohet” (2004)
Ishte koha kur njerëzit nisën të thonin se Top Channel ishte më shumë se një media. Xhoi Plaku dhe Gent Bejko ishin dy personazhet që hapën këtë urim.
“Asaman o trëndafili çelës” (2005)
Jasht ambienteve të piramidës u xhirua në vitin 2005 “Asaman o trëndafil çelës” me një interpretim fantastik në kitarrë të Qepës i cili vazhdon të jetë pjesë e Top Medias edhe pas kaq shumë vitesh.
“Valsi i Lumturisë” (2006)
Top Media uron shqiptarët në vitin 2006, me një këngë shumë të dashur edhe për themeluesin e saj, Dritan Hoxha. Klipi nis me një vals të mrekullueshëm nga drejtuesit e trupës së baletit të Top Channel, Ezdalin Gorani dhe Ola Hasani.
“Rrisim Jetën Tonë” (2007)
Në korridorin e hershëm të Top Albania Radio shfaqet Adi Krasta i cili nis vargjet e para të kësaj kënge shumë të dashur për publikun shqiptar. Korridori ku shumë personazhe kanë hyrë e dalë, ku janë rritur profesionalisht disa nga moderatorët më të talentuar të ekranit shqiptar.
“Këngët e Rinisë” (2008)
Nga Tirana në Prishtinë dhe të gjitha trojet e Shqipërisë, trupa e baletit xhiron një ndër klipet më të vështira të urimit të fundvitit. I pari i cili shfaqet duke kënduar vargjet e kësaj kënge është folësi i hershëm i lajmeve Dhimitër Gjoka.
“Rrjedh Në Këngë e Ligjërime” (2009)
Pjesërisht bardhë e zi, urimi i vitit 2008 i Top Medias vjen me një këngë kushtuar dashurisë për atdheun dhe klipin e çelin prezantuesit e atëherëshëm të spektaklit “Portokalli”, Agron Llakaj dhe Amarda Toska. Një pjesë e klipit është xhiruar në Sheshin Skënderbej ku menjëherë bie në sy flamuri i madh kuq e zi.
“Moj e Bukur Arbëri” (2010)
Ndër këngët më të bukura të këngëtares së ndjerë Vaçe Zela, hitet e të cilës shpeshherë janë ripunuar për kartolinën e urimit të Top Medias, nis me fëmijët e disa prej pjesëtarëve të stafit të saj që simbolizojnë te ardhmen. Ajo e cila këndon vargjet e para është Xhemi Shehu.
“Xhamadani Vija Vija” (2011)
E realizuar 9 vite më parë kjo është një ndër rikrijimet më të pëlqyera të publikut shqiptar. Një realizim ‘rock’ dhe një udhëtim në të gjitha qytetet e Shqipërisë ashtu siç thuhet edhe në vargjet e kësaj kënge të cilat i nis ish-moderatori i “Top Show”, Alban Dudushi.
“Himni i Flamurit” (2012)
Kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i gjithë stafi i Top Medias u nis në vitin 2012-të drejt Vlorës për të uruar siç i ka hije të gjithë shqiptarëve këtë festë të madhe. Energjia dhe dashuria për vendin tonë shihet që në imazhin fillestar të këtij klipi në të cilin perfomon i pari artisti, Elton Deda.
“Shqipëri o Nëna Ime” (2013)
Viti 2013 na rikthen sërish pranë ambienteve të piramidës, brenda dhe jashtë saj duke shfaqur edhe stafin tashmë të madh të Top Medias. “Shqipëri o nëna ime” shfaq Altin Bashës i cili i jep start muzikës së saj.
“Dua më shumë Shqipërinë” (2014)
Ky hit i bukur shqiptar shfaq sërish pranë ambienteve të Top Albania Radios, pjesëtarët e stafit duke regjistruar vargun e tyre në studio. Ndër më të hershmit e Top Media, Filip Cakuli hap këngën e këtij viti. Asokohe i gjithë stafi u nis drejt qendrës së kryeqytetit për të xhiruar mes balonave dhe fishekzjarreve.
“Dritën Fal” (2015)
Nën zhurmën e hapave mbi borë shfaqet zëri i artë i Eugent Bushpepës që i jep start këngës së uritmit të 5-së viteve më parë.
“It’s The Most Wonderful Time of The Year” (2016)
Këtë herë urimi vjen drejt e nga shtëpitë e disa prej personazheve më të dashur të Top Media, disa prej të cilëve janë ende pjesë e kësaj familjeje. Ritmet e këngës më të bukur të Krishtlindjes dëgjohet zëri i Kamela Islamaj.
“Tren për Prizren” (2017)
Viti 2017-të shfaq stafin e Top Medias duke kënduar e luajtur plot gëzim këtë këngë ritmike që vjen si urim për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet e saj. Është Arbana Osmani ajo e cila na fton t’a ndjekim këtë klip.
“Lule” (2018)
I xhiruar i gjithi në ambientet e reja të Top Channel, stafi i madh sjell këngën “Lule” së bashku me Frederik Ndocin. Një këngë që na transmeton më së miri atmosferën e festave dhe që nis me atë e kanë quajtur lule prej shumë kohësh, moderatoren Luana Vjollca.
“Ende Ka Shpresë” (2019)
Në një kohë kur vendit tonë i nevojitej më shumë shpresë se kurrë më parë, video e urimit vjen ndryshe, më e ndjerë se asnjëherë tjetër. Dedikuar viktimave të tërmetit të 26-nëntorit, urimi i vitit të kaluar nis me Ledion Liço-n. Pjesë e klipit janë edhe 2 këngëtarët shumë të dashur të publikut, Miriam Cani dhe Alban Skënderaj të cilët ju bashkuan këtij urimi të nisur nga kënga e tyre.
“Kuturu” (2020)
E publikuar ditën e kaluar, urimi i Top Medias për vitin 2020 vjen me hitin e Aleksandër Gjokës, “Kuturu”. Teksa trashëgimtarja Sara Hoxha hap derën duke na ftuar të shohim se çfarë bëjnë personazhet e njohur të Top Channel, kënga nis hareshëm me Eneda Tarifën dhe disa prej pjesëtarëve të stafit të “Portokalli” dhe “E Diell”.