Kërcënohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili ka konfirmuar për mediat në Kosovë, se ndaj Kurtit kanë ardhur kërcënime. Ndërkohë pranë banesës së Kurtit, kanë shkuar forca të shumta policore të cilët po rrinë në gatishmëri për çdo situatë.
“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë” tha Kryeziu.
Ai shtoi se “Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre”.
“Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha Kryeziu.
Në media është publikuar një postim kërcënues në grupin “Shes blej gjithçka”, në rrjetin social “Facebook”. 35 mijë euro “ishte në gjendje t’i ofronte” për “kokën” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kështu një person ka shkruar në grupin “Shes blej gjithçka”, në rrjetin social “Facebook”. Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale.
Një kërcënim të tillë e kanë marrë seriozisht organet e sigurisë. Shpejtë u pozicionuan afër shtëpisë ku banon kreu i ekzekutivit kosovar, në Prishtinë.
Ky është kërcënimi i parë ndaj Kurtit i bërë publik që nga marsi kur e mori detyrën në Qeveri.
Por, Kurti më parë ishte kërcënuar edhe si opozitar. Në dhjetor të vitit 2019 përmes një postimi në Facebook e kishte kërcënuar zyrtari atëhershëm i Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti. Për të ka pasur edhe proces gjyqësor.