Politikë

35-vjetori i Partisë Socialiste në Durrës, Rama: Nëse Shqipëria është afër BE-së sot, arsyeja është puna e PS!

Ditën e sotme, Partia Socialiste e Durrësit feston 35 vjetorin e themelimit të saj. Përmes një ceremonie të zhvilluar në qytetin bregdetar, është pasqyruar aktiviteti i kësaj force politike, përgjatë këtyre viteve të demokracisë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama teksa vlerësoi kontributin e çdokujt që i ka shërbyer kësaj force politike, tha se gjatë qeverisjes së PS, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha.

Shefi i Qeverisë theksoi gjithashtu se falë punës dhe përkushtimit të PS, Shqipëria ndodhet sot me pranë se kurrë më parë me Bashkimin Europian.  Më tej kryeministri theksoi se ishte Partia Socialiste ajo që ia ‘dhuroi’ stabilitetin vendit tonë, në një kohë kur sipas tij, Shqipëria kishte më shumë se kurrë nevojë.

“Por ky ka qenë realiteti i atyre që morën kurajon ta themelojnë PS-në, sidomos në territore ku thjeshtë emri i PS, krijonte reaksion negativ. Megjithatë, sot ia vlen të ndalemi në stacion, për faktin se gjatë gjithë këtyre viteve, në një mënyrë apo një tjetër, rrugëtimi i Shqipërisë u njëhsua me rrugëtimin e PS. Dhe ky është fakt. Sepse nëse Shqipëria sot është një Shqipëri tjetër, kjo është në radhë të parë puna, vepra dhe merita e familjes së madhe të sicialistëve dhe progresistëve shqiptarë. Historia e PS është historia e një transformimi të brendshëm, në funksion të një vendi që duhej transformuar. PS u bë zëdhënësja e nevojave të vendit dhe njëkohësisht edhe fuqia që i adresoi ato nevoja. Sot është e paimagjinueshme që të flitet për një vend në kërkim të stabilitetit të arsyeshëm. Kur Shqipëria pati nevojë për stabilitet, ishte PS ajo që e mundësoi këtë stabilitet. Nëse sot Shqipëria është më pranë se kurrë BE-së, ka vetëm një arsye të madhe, që është forca, përkushtimi dhe puna e PS-së”, vijoi më tej Rama.