Pas kryeministrit Edi Rama, edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ndërsa vlerësoi procesin demokratik dhe vullnetin e shprehur nga qytetarët atje.
Përmes një mesazhi urimi, Kryetari i Shtetit shqiptar thekson se “qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për zgjedhjen e institucioneve të reja që do të qeverisin vendin”.
Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin.
Po ashtu, Begaj shprehu besimin dhe urimin që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane!
Sipas numërimit paraprak të votave, Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, doli forcë e parë, duke marrë rreth 50% të votave, rezultat që i jep avantazh të rëndësishëm për të siguruar shumicën parlamentare e për të formuar qeverinë pa vështirësi.