Të drejtat e përdorimit të tre brezave të rinj 4G do të shiten në ankand nga AKEP-i, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Në tenderin që zhvillohet në fund të shtatorit, mund të marrin pjesë kompani celulare që ndonëse e kanë në përdorim një licensë, rrisin kapacitetet e tyre në 4G. Pjesëmarrja iu lejohet dhe atyre subjekteve që edhe pse nuk ofrojnë shërbime telefonike të lëvizshme, me marrjen e brezit të frekuencave 4G, duke përmbushur kushtet teknike, mund të shndërrohen në operatorë celularë. Secila licensë e nis ankandin nga minimumi i shitjes 7.4 milionë euro ndërsa të tre brezat bashkë shkojnë në mbi 22 milionë euro. Këto frekuenca mundësojnë internet të shpejtë për zonat turistike e të largëta, rrugët kombëtare, urat, tunelet, si dhe në pjesët e vendit me mbipopullim.