Aktualitet

Aksidenti në Lushnjë, ndërron jetë vëllai i zv.ministres së Mjedisit/ Tentoi t’i largohej policisë!

Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lushnjës. Ernis Xhumari, 43 vjeç, nga Karbunara, mbeti viktimë.

Nga burime policore, pak para aksidentit, 43-vjeçari shkoi para Komisariatit të Lushnjës duke xhiruar gomat dhe përdorur fjalor ofendues. Pas këtyre manovrave, grupi i gatshëm u vu në ndjekje të tij.

Në tentativë për t’iu shpëtuar bluve, 43-vjeçari mori drejtimin drejt Karbunarës me shpejtësi. Si shkak i shpejtësisë së lartë, nuk mundi të shmangë rrethrrotullimin, duke u përplasur. Makina u përfshi nga flakët. Edhe pse iu dha ndihma e parë, 43-vjeçari nuk mundi të mbijetojë.

Rreth dy muaj më parë, i qe hequr leja e drejtimit pasi ishte kapur në gjendje të dehur dhe qe proceduar. Ernis Xhumari ishte vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.

Lushnjë / Informacion paraprak

Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti  është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.