Policia Bashkiake e Vlorës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një aksion të përbashkët për lirimin e hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare, si dhe për kontrollin e subjekteve që operojnë pa kontrata apo dokumentacion të rregullt.
Operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit në zonat turistike të Rradhimës dhe Orikumit, ku janë konstatuar raste të shfrytëzimit të paligjshëm të plazheve. Gjatë ndërhyrjes, janë hequr çadra, shezlongë dhe struktura të përkohshme të vendosura pa leje, ndërsa një sërë subjektesh janë paralajmëruar ose proceduar për shkelje të ligjit.
Sipas autoriteteve, ky aksion është pjesë e një fushate më të gjerë që do të shtrihet përgjatë gjithë bregdetit të Vlorës, me synim garantimin e aksesit të lirë për pushuesit dhe forcimin e rendit e ligjshmërisë në menaxhimin e zonave turistike.
Teksa sezoni veror po shkon në pikun e tij, institucionet vendore dhe policore kanë bërë të ditur se nuk do të tolerohet asnjë formë abuzimi apo zaptimi i paligjshëm i hapësirave publike.